Partizani fiton duelin për Europën

Futboll

Partizani fiton duelin për Europën

Më: 19 mars 2018 Në ora: 19:36
Pamje nga ndeshja

Partizani i Tiranës ka triumfuar në përballjen direkte për Europën ndaj Flamurtarit, me rezultatin minimal 1-0, falë golit të shënuar nga Edgar Çani. Sulmuesi çoi për herë të parë në në rrjetë një top në Kategorinë Superiore, gol ky që ka vlerë 3-pikëshe për ‘Të kuqtë’.

Terreni i rënduar nga reshjet e dendura të shiut nuk i lejon skuadrat të japin më të mirën në fushën e blertë, megjithatë nuk mungojnë rastet në portat respektive. Asani pretendon për 11-metërsh që në minutën e 3-të, por nuk është i këtij mendimi gjyqtari Andi Koçi. Edhe në rastin e rrëzimit të Ardit Hoxhajt në zonë, Koçi nuk i jep të drejtë sulmuesit. Rastin më të mirë në pjesën e parë e pati Zuka i Flamurtarit, që goditi shtyllën e jashtme.

Trajneri Dalipi aktivizoi që në fillim të pjesës së dytë Edgar Çanin në vend të Bardhit. Sulmuesi shtatlartë më në fund shënoi golin e parë në Superiore, në minutën e 54-t, duke i dhënë trajektoren e duhur topit me kokë.

Edhe në minutat e mbetura, ishte Partizani, skuadra që kontrolloi lojën dhe pati edhe 2-3 mundësi të tjera shënimi, me Çanin dhe Trashin, por që u ndalën nga portieri vlonjat, Sali. Nga ana tjetër, Flamurtari e pati të pamundur të reagojë ashtu si duhet, për të shmangur humbjen në ‘Selman Stërmasi’, duke u larguar ‘duarbosh’ nga ky takim.

Pas javës së 26 Partizani ngjitet në vendin e 4-t të renditjes, me 39 pikë, ndërsa Flamurtari mbetet në vendin e 5-të me 37 pikë, po aq sa ka edhe Luftëtari i vendit të 6-të.

Vlen të përmendet se vlonjatët nuk fitojnë në Superiore që prej 18 Shkurtit, kur mposhtnin Lushnjën 2-0, teksa në 6 javët në vijim kanë marrë 2 barazime dhe 4 humbje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat