"Koka e basteve"

Futboll

"Koka e basteve"

Nga: Andri Çunga Më: 13 prill 2018 Në ora: 15:36
Pamje nga një ndeshje

Debate

Skënderbeu, ekipi i cili ka dominuar arenën kombëtare me pesë kampionate të fituara (dhe një të hequr) në shtatë sezonet e fundit, si dhe dy herë pjesëmarrës në grupet e Europa League, kaloi nga parajsa në ferr në harkun e pak muajve. I ndërtuar si një klub bashkëkohor europian, Skënderbeut arriti në pak kohë të bëhej shembull për futbollin vendas. Jo vetëm për rezultatet e arritura, por edhe për mënyrën e menaxhimit të klubit, ku arriti të mbushë arkat me shitjet e yjeve të ekipit si Olayinka, Berisha dhe Latifi. Dhe pse me një sërë arritjesh për t'u mburrur, bardhë e kuqtë kanë qenë vazhdimisht në syrin e ciklonit për trukime ndeshjesh. Shpesh herë të përmendur në listën e zezë, sidomos nga Federbet, — agjencia për identifikimin e ndeshjeve të trukuara dhe ndalimin e basteve abuzive, — me seli në Bruksel dhe aleat i afërt i UEFA-s.

Ishin pikërisht këto sinjalizime në të cilat Skënderbeu dyshohej se kishte trukuar mbi 50 ndeshje (2010-2015), në sfidat brenda dhe jashtë vendit, madje edhe në ndeshje miqësore! Këto sinjalizime nisën hetimin nga UEFA, të cilët dënuan ekipin korçar me një vit mospjesëmarrje në Europë për sezonin 2016–2017 si dhe heqjen e titullit kampion për sezonin 2015–2016 (që iu rikthye nga CAS). Për të gjithë ata që menduan se me kaq u mbyll e gjithë historia, duhet të prisnin datën 29 mars 2018, ku Komisioni i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës pranë UEFA-s, dënoi Skënderbeun me 10 vite pezullim nga kompeticionet europiane, si dhe gjobën prej 1 milionë euro! Ky pra ishte dhe dënimi historik dhe më radikal i ndërmarrë ndonjëherë nga UEFA për Skënderbeun. Precedentët: Rasti më i ngjashëm me historinë e Skënderbeut vjen (ndoshta në mënyrë krejtësisht rastësore) nga fqinjët tanë maqedonas. KF Pobeda Prilep pati rritje të ndjeshme pasi Maqedonia fitoi pavarësinë nga ish Jugosllavia. Nga viti 1992 deri në vitin 2009 arriti të fitojë dy kampionate, një kupë vendase, dhe arriti të siguronte plot 9 herë të tjera një vend në top 4.

Vetëm për shkak të luhatjes së koeficientëve në kompanitë e basteve dhe dëshmive anonime (siç!), UEFA e pezulloi ekipin nga Prilepi për 8 vite nga kompeticionet europiane si dhe përjashtimin e përjetshëm të presidentit Aleksandar Zabrcanec nga aktivitetet sportive. Pas falimentimit të klubit dhe zbritjes në kategorinë inferiore, klubi ndryshoi emrin ne Viktorija, para se të rimerrte emrin e vjetër në 2015.

Pobeda tashmë është rikthyer në elitën e futbollit maqedonas prej dy vjetësh, por shkëlqimi i dikurshëm duket larg dhe objektiv kryesor është mbijetesa. Por rastet për trukime rezultatesh kanë qenë shpesh të përmendura në vitet e fundit. Megjithatë, jo të gjitha këto raste janë cilësuar si të tilla nga UEFA. Madje këto aludime kanë ardhur nga ndeshje në nivelet më të larta europiane. Ndoshta rasti më evident është ai i ndeshjes mes Dinamos së Zagrebit dhe Lyonit në 7 dhjetor 2011. Ballkanasit kryesonin 1:0 deri para fundit të pjesës së parë, kur transalpinët të ktheheshin në një makineri golash.

Kujtojmë që në pesë ndeshjet paraardhëse, Lyoni kishte shënuar vetëm dy gola! Madje qendërmbrojtësi i asaj kohe i Dinamos së Zagrebit, Domagoj Vida, shihet teksa i “shkel syrin” sulmuesit të Lyonit, Gomis, pasi ky i fundit kishte arritur të shënonte një nga golat. Por ekipi që e pësoi më shumë nga ky rezultat i çmendur ishte Ajax-i, që u eliminua prej golavarazhit më të dobët se Lyoni. Ndeshja iu nënshtrua një procesi investigues nga Autoriteti Francez i Basteve, por jo nga UEFA. Madje për këtë rast UEFA nuk ndërmori asnjë masë. Ndoshta nuk kishte luhatje koeficientësh, ndoshta nuk kishte dëshmitarë, ndoshta...

Pasojat: Në pritje të vendimit në CAS, gjasat për pezullim total të dënimit duket të jenë minimale. Pezullimi i Skënderbeut (qoftë edhe i reduktuar) do të sjellë pasoja negative jo vetëm për klubin, por edhe për futbollin shqiptar në përgjithësi. Për klubin korçar, një dënim i tillë do të ishte shpallje de facto e falimentit pasi mohimi i së drejtës për pjesëmarrje në kompeticione europiane do të ishte një goditje e rëndë për arkat e klubit. Gjithashtu, afrimi i futbollistëve cilësorë do të ishte i vështirë për vetë faktin se do t'u mungojë afirmimi në arenën europiane. Ndërsa futbolli shqiptar do të marrë një damkë të zezë në lidhje me besueshmërinë e tij, pasi klubi më i suksesshëm në vitet e fundit do të kthehet në rastin më të errët në histori.

Qëndrimet nuk janë të redaksisë

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat