Cana: Lazio të fitojë derbin. Strakosha? Ne, shqiptarët, jemi krenarë për të…

Futboll

Cana: Lazio të fitojë derbin. Strakosha? Ne, shqiptarët, jemi krenarë për të…

Më: 14 prill 2018 Në ora: 15:52
Lorik Cana

Një humbje e hidhur, shumë e vështirë për t’u absorbuar. Djemtë nga Inzaghi, të dielën do të kenë një sfidë vendimtare për Ligën e Kampionëve. Nuk është vetëm një lojë futbolli, por derbi i kryeqytetit italian. Për të folur për eliminimin europian të bardhekaltërve dhe shumë më tepër, për mikrofonat e “Radio Incontro Olympia” foli Lorik Cana. Këtu më poshtë janë fjalët e tij.

SALZBURGU – “Natyrisht, humbja e së enjtes ka të ngjarë të peshojë. Mundësia për të arritur në gjysmëfinale të Ligës së Europës nuk ndodh gjithmonë për Lazio. Kemi shkuar afër gjysmëfinales edhe pesë vjet më parë, me një kundërshtar, nëse jo të njëjtin nivel me Salzburg, pak më lart. Nëse nuk do të kishte qenë ai arbitër… Gjithashtu, na mungonin shumë lojtarë themelorë, si Klose. Por, tani ndodhi që kundërshtari të ishte inferior, se ndeshja e parë ishte fituar, por pastaj nuk u kualifikuam. Dhe ky është një zhgënjim i madh. Kam luajtur tri çerekfinale, dy me Marsejën, por gjithmonë jam eliminuar. Ende i kujtoj ato momente. Është një keqardhje”.

MARSEILLE DHE LAZIO – “Unë i kam parë të dyja ndeshjet, më pak Lazion. Ju e dini se jam rritur në klubin francez dhe ndiej dashuri të madhe për ta. E kam uruar klubin marsejez për kualifikimin, sepse më ka bërë të përjetoj atmosferën e të luajturit me Cisse, Niang, Ribery… Unë, gjithashtu, pashë Lazion dhe nuk besoja, sidomos pas 1-0, që do të eliminohej. Në fund, megjithatë, austriakët kanë dhënë diçka më shumë në drejtim të dëshirës dhe urisë për të triumfuar”.

DERBI I KRYEQYTETIT – “Është një ndeshje unike. Lazio është në një pozicion të mirë në renditje, është ndër protagonistët e ligës italiane, një nga skuadrat më të bukura, të paktën këtë edicion. Nuk e kuptoj pse tani duhet të mungojë diçka në drejtim të entuziazmit dhe motivimit, për ta përgatitur derbin. Natyrisht, humbja në Europë është një barrë, por duhet përqendrim në funksion të sigurimit të një vendi në katër të parët e Seria A. Lazio ka treguar se mund të jetë atje. Dallimin, përfundimisht, do ta bëjnë ata që duan më shumë të shkojnë në Europë dhe të mbeten të përqendruar në objektiv. Lazio mund ta bëjë këtë, edhe nëse Roma vjen nga një moment më i mirë. Thjesht, mendoni për të gjithë punën e bërë deri më tani. Dhe, pastaj, nuk ka motivacionin më të madh: stadiumi “Olimpico” do të jetë i plotë, me shumë tifozë të Lazios”.

NUK ËSHTË ARRITUR MATURITETI – Parolo dhe Luliç folën për mnugesë të pjekurisë në ndeshjen me Salzburg. Duke pasur njohje me ta, mendoj se nuk iu referuan aspektit individual të lojtarëve, por një konteksti të tërë. Mungesa e përvojës dhe pjekurisë në këto nivele del në pah më lehtë. Në kampionatin italian, Lazio ka treguar se mund të bëjë gjëra të mëdha. Në kësi lojërash, megjithatë, duhet të jepni prova të përvojës. Kjo Lazio, ndoshta nuk e ka këtë. Ky brez futbollistësh nuk e ka këtë. Ka lojtarë, si Leiva, ose Immobile, me përvojë në Europë, por është grupi, kolektivi, që nuk e ka atë”.

CIRO IMMOBILE – “Nuk e prisja këtë performancë të tij, të jem i sinqertë. Pak do të kishin vënë bast për këto numra të pabesueshëm të tij. Kjo është merita e Ciro, e mjedisit, e lojtarëve dhe e klubit, të cilët shkuan për të marrë atë dhe e kthyen në gjendjen më të mirë. Kam luajtur kundër Immobile, tani nuk është absolutisht i njëjti lojtar. Ai është një pasuri e madhe për Lazion. Ne vetëm duhet të dëshirojmë që të jetë mirë deri në fund të sezonit”.

THOMAS STRAKOSHA – “Ai ka një rritje të madhe, sidomos nga këndvështrimi i përvojës. Thomas është një djalë i ri, por në këtë moshë mbron si titullar portën e Lazios. Veç kësaj, është edhe një nga lojtarët më të rëndësishëm në ligë. Shpresoj të mos ketë ndonjë rënie në afat të gjatë. Por, falë besimi që Inzaghi i ka dhënë, Strakosha i ka dëshmuar Lazios se ka një xhevahir në duart e saj. Ne jemi shqiptarë, me fat dhe krenarë që kemi dy portierë të pabesueshëm në ekipin tonë kombëtar, si Thomas Strakosha dhe Etrit Berisha. Kjo, në kombëtaren tonë nuk kishte ndodhur kurrë. Sipas mendimit tim, Lazio ka një nga dy portierët më të fortë të Seria A. Dhe Thomas është vetëm 23 vjeç. Natyrisht, të enjten mund të kishte bërë më shumë, por nuk mendoj se potenciali i tij duhet të vihet në diskutim”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat