Guri: Ëndërroj kombëtaren, në verë synoj largimin

Futboll

Guri: Ëndërroj kombëtaren, në verë synoj largimin

Më: 15 prill 2018 Në ora: 07:26
Sindrit Guri

Ndeshja e tij më e mirë në Kategorinë Superiore erdhi në momentin e duhur për Sindrit Gurin. Me tregolëshin që realizoi në fitoren 4-0 ndaj Partizanit, Guri ishte thjeshtë fantastik me 24-vjeçarin që me meritë u përzgjodh nga Supersport si lojtari më i mirë i ndeshjes.

“Kjo ndeshje erdhi në kohën e duhur dhe në momentin e duhur për mua. Këto tre gola sot ndaj Partizanit do më ndihmojnë të punoj më shumë dhe të rritem më tepër”, tha Guri.

3 gola që mund t’i shërbejnë Gurit për të fituar një ftesë në kombëtare në grumbullimin e ardhshëm të përfaqësueses kuqezi.

“E kam thënë gjithmonë që për çdo lojtar që luan në kampionatin shqiptar, kombëtarja kuqezi është një ëndërr. Unë do të përpiqem të bëj më të mirën time dhe pastaj i takon trajnerit për të vendosur nëse jam apo jo gati për kombëtaren shqiptare”, u shpreh sulmuesi shkodran.

E ardhmja e tij vazhdon të mbetet në pikëpyetje me Gurin që e pranon se mund të largohet nga Kukësi në verë, por vetëm në rast se klubi do të përfitojë një shumë të majme nga shitja e tij.

“Do të bisedoj me drejtuesit e klubit dhe do të arrimë të gjejmë një gjuhë të përbashkët, pra atë që do të jetë më e mira për të dyja palët.Unë jam nën kontratë me Kukësin dhe nëse largohem do të ishte shumë mirë që presidenti Gjici, i cili investon shuma të mëdha të kjo skuadër, të përfitojë nga largimi im në një kampionat tjetër”, deklaroi Guri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat