Po ikë

Futboll

Po ikë

Më: 20 prill 2018 Në ora: 12:21
Ilustrim

Arsene Wenger ka habitur futbollin, duke njoftuar se ai, më në fund, do të japë dorëheqjen si trajner i Arsenalit në fund të sezonit, pas 22 vitesh në krye të londinezëve. Francezi 68-vjeçar, i cili u bashkua me Arsenalin në vitin 1996, ka shkruar një deklaratë emocionale për tifozët e klubit, duke njoftuar largimin e tij, duke u falënderuar ata për dashurinë dhe mbështetjen.

Wenger e lëshon këtë “bombë” përpara ndeshjes së Premier League, që Arsenali do të luajë ndaj West Ham në “Emirates”, të dielën pasdite. Ka pasur trazira të hapura në “Emirates” gjatë viteve të fundit, pas dështimit të francezit për të fituar titullin e ligës, që nga viti 2004. Ai ka fituar, megjithatë, 10 trofe të mëdhenj gjatë kohës së tij në veri të Londrës dhe do të mbahet mend si trajneri më jetëgjatë i klubit.

Ai i tha faqes zyrtare të Arsenalit: “Pas shqyrtimit të kujdesshëm dhe diskutimeve me me klubin, mendoj se është koha e duhur për mua që të largohem në fund të sezonit. I jam mirënjohës klubit, që kam pasur privilegjin t’i shërbej Arsenalit për shumë vite të paharrueshme. E kam menaxhuar klubin me përkushtim dhe integritet të plotë.

Dua të falënderoj stafin, lojtarët, drejtorët dhe tifozët, që e bëjnë këtë klub kaq të veçantë. Iu bëj thirrje tifozëve tanë të qëndrojnë prapa ekipit, për të qenë në një nivel të lartë. Të gjithë dashamirët e Arsenalit duhet të kujdesen për vlerat e klubit. Dashuria dhe mbështetja ime për këtë klub do të jetë përgjithmonë”.

Ndërkohë, aksionari i shumicës së Arsenalit, Stan Kroenke, e përshkroi këtë si “ditën më të vështirë, që kemi pasur ndonjëherë”. Amerikani tha: “Kjo është një nga ditët më të vështira që kemi pasur ndonjëherë, në të gjitha vitet tona në sport. Një nga arsyet kryesore që morëm me Arsenalin ishte për shkak të asaj që Arsène ka sjellë në klub, brenda dhe jashtë fushës. Jetëgjatësia dhe qëndrueshmëria e tij gjatë një periudhe të tillë, në nivelin më të lartë të lojës, nuk do të përputhen kurrë.

Arsène ka bërë diçka të pashembullt dhe ne do t’i jemi gjithmonë mirënjohës atij. Gjithkush që e do Arsenalin dhe kushdo që e do futbollin i detyrohet atij një borxh mirënjohjeje. Tre tituj të Premier League, duke përfshirë një sezon si i pamposhtur, shtatë fitore në “Fa Cup” dhe 20 vite të njëpasnjëshme në Ligën e Kampioneve, janë një rekord i jashtëzakonshëm.

Ai, gjithashtu, ka transformuar identitetin e klubit tonë dhe të futbollit anglez, me vizionin që ka për këtë lojë magjike. Ne kemi ambicie të larta për të ndërtuar mbi qëndrimin e jashtëzakonshëm të Arsène dhe për të nderuar vizionin e tij, duke siguruar që Arsenali të konkurrojë dhe të fitojë çmimet më të mëdha dhe më të rëndësishme në futboll.

Tani duhet të përqendrohemi në një përfundim të fortë të sezonit dhe t’u kërkojmë miliona tifozëve tanë në botë që të bashkohen me klubin për të paguar “haraçin” e duhur ndaj një prej më të mëdhenjve të historisë së Arsenalit”. Wenger e ka menaxhuar Arsenalin në 22 vite radhazi, ku ka fituar tre tituj të Premier League dhe shtatë “FA Cup”.

68-vjeçari ka kaluar një kohë të vështirë të vonshme, me tifozët gjithnjë e më shumë të frustruar me Arsenalin, që mbetet pas rivalëve të tjerë të Premier League. “Topçinjtë” e humbën kualifikimin në Ligën e Kampioneve vitin e kaluar dhe duket se do të ketë edhe një herë këtë fat, përveç nëse Wenger e çon Arsenalin në lavdinë e “Europa League”, në Lyon, në fund të sezonit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat