Messi e tejkalon Ronaldon si futbollisti më i paguar në botë

Futboll

Messi e tejkalon Ronaldon si futbollisti më i paguar në botë

Më: 23 prill 2018 Në ora: 17:11
Messi dhe Ronaldo

Lionel Messi e ka tejkaluar rivalin e përjetshëm, Cristiano Ronaldon, si lojtari më i paguar në botë për sezonin 2017-2018, sipas revistës prestigjioze franceze “France Football”.

“France Football”, e cila ka përcaktuar listën e futbollistëve që kanë përfituar më shumë të ardhura financiare, e ka bazuar studimin e saj te paga bruto e futbollistëve, shpërblimet dhe të ardhurat nga kontratat me kompanitë publicitare, të përfituara gjatë këtij sezoni.

Nga përllogaritjet rezulton se, Messi e ka tejkaluar shifrën e 100 milionë eurove, më saktësisht ai përfiton 126 milionë euro.

Argjentinasi e zbriti në vendin e dytë Cristiano Ronaldon, kryesuesin e vitit të kaluar. Ylli i Realit të Madridit ka siguruar 94 milionë euro për këtë sezon.

Podiumin e plotëson braziliani Neymar, që ka përfituar 81.5 milionë euro këtë sezon. Klasifikimi vijon me një tjetër futbollist të Realit të Madridit, Gareth Bale, i pozicionuar në vendin e katërt me 44 milionë euro, duke lënë pas qendërmbrojtësin e Barcelonës, Gerard Pique, me 29 milionë euro.

Për sa u përket trajnerëve, sipas “France Football”, më i paguari për këtë sezon është tekniku i Manchester United, Jose Mourinho, me 26 milionë euro, i ndjekur nga Marcelo Lippi i përfaqësueses kineze, me 23 milionë në vendin e dytë, si dhe Diego Pablo Simeone i Atletico Madrid, me 22 milionë euro.

Pesëshja e trajnerëve më të paguar për sezonin 2017-2018 plotësohet nga Zinedine Zidane i Realit të Madridit dhe Pep Guardiola i Manchester City, që kanë siguruar respektivisht 21 dhe 20 milionë euro të ardhura.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat