Heynckes: Ia dhuruam vetë dy golat Real Madridit

Futboll

Heynckes: Ia dhuruam vetë dy golat Real Madridit

Më: 26 prill 2018 Në ora: 11:01
Jupp Heynckes

Trajneri i Bayern Munich, Jupp Heynckes, ndjen se ekipi i tij e ndihmoi, me gabimet e bëra, Real Madridin të fitojë 2-1 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve, të mërkurën.

Kampionët e Bundesligës nuk arritën të “pastronin” topin në golin e Marcelo, ndërsa “dhurata” e Rafinha çoi në goditjen e dytë të Asensio. Heynckes ankohet për mënyrën se si Bayerni i pranoi golat dhe pamundësinë e të tijve për t’i shfrytëzuar më mirë mundësitë e krijuara.

“Ne i dhamë Real Madridit dy gola, me gabime të qarta, – tha Heynckes për “ZDF”. – Patëm një sërë shansesh, që nuk i shfrytëzuam, kështu që nuk është për t’u habitur që kemi humbur”. Bayern Munich kishte më shumë goditje drejt portës dhe dominonte posedimin e topit, por tashmë përballen me një detyrë të madhe, që zhvendoset në “Santiago Bernabeu”, në gjysmëfinalen e kthimit.

Heynckes beson se mundësitë e krijuara mbrëmë nga skuadra e tij u jep atyre shpresë për të arritur në finale të Champions-it: “Skuadra ka krijuar kaq shumë shanse kundër Real Madridit. Ne nuk kemi asgjë për të humbur në Madrid dhe mund të luajmë lirisht atje”.

Mbetet për t’u parë se si do të luajë Bayerni në kthim, pasi Arjen Robben, Jerome Boateng dhe Javi Martinez u lënduan mbrëmë, në “Allianz Arena”. Heynckes ka shpresë për disponueshmërinë e Robben dhe Martinez, ndërsa Boateng mund të anashkalohet, sepse ka një dëmtim të dukshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat