Agim Cana i përgjigjet ashpër Shkëlzenit: Klubi nuk është dinasti e as klub privat!

Futboll

Agim Cana i përgjigjet ashpër Shkëlzenit: Klubi nuk është dinasti e as klub privat!

Nga: K.G. Më: 3 maj 2018 Në ora: 11:59

Para pak kohe Agim Cana është akuzuar rëndë nga ish kryetari i KF Vëllaznimit nga Gjakova, Shkëlzen Gashi. Gashi: Unë jam presidenti i Vëllaznimit, ku shkuan 55 mijë eurot e komunës? “Unë ja kam besuar klubin Agim Canës, por jo dorëheqjen, sepse unë kam investu shumë, e ai as edhe një cent, përveç nga komuna. Kjo nuk është në rregull; Cana, Kreshnik Vula dhe Blerim Vula do të përgjigjen për të hollat e komunës së Gjakovës”, kështu kishte thënë Gashi. Ish futbollisti i gjeneratës së artë, Cana, i përgjigjet Gashit përmes një letre të gjatë. “Kohëve të fundit, kemi qenë dëshmitarë të akuzave të shumta të pabaza, të pavërteta dhe të paqëndrueshme të ish kryetarit të K.F.”Vëllaznimi”, Shkelzen Gashi, në adresë të Klubit dhe në adresë timen personale si kryetar aktual i Klubit. Jam hamendur shumë se a duhet dhe a ia vlen të përgjigjem në këto akuza, pasi në këto momente në K.F.”Vëllaznimi” kemi shumë gjëra më të rëndësishme se sa akuzat e pabaza dhe kundërshtimi i atyre akuzave. Kam menduar se nuk ia vlen të humbet energji në kundërvënien ndaj akuzave të trilluara në këto momente kur Vëllaznimi gjendet para momenteve vendimtare – sigurimit të ekzistencës në Super Ligën e Kosovës dhe tentimit për të fituar Kupën e Republikës.

Megjithatë, duke e vërejtur se këto akuza të paqëndrueshme, në disa qarqe kanë pasur ndikim në opinionin sportdashës jo vetëm gjakovar por edhe kosovar, e madje edhe në atmosferën brenda vetë Klubit, kam vendosur që këtyre akuzave të paqëndrueshme tu përgjigjem duke e treguar realitetin e vërtet.

Pikë së pari, mua në postin e kryetarit të K.F.”Vëllaznimi” nuk më ka zgjedhur kryetari paraprak, Shkëlzen Gashi, sepse Klubi nuk është dinasti e as klub privat që posti i kryetarit të mund të jepet me trashëgim. Mua, në postin e kryetarit më ka nominu dhe më ka zgjedh kryetari i Komunës së Gjakovës, z.Ardian Gjini, i cili e ka këtë të drejtë pasi “Vëllaznimi” vazhdon të jetë klub publik, pra klub i Komunës. Që nga momenti i zgjedhjes time për kryetar të Klubit, me tërë qenien, me tërë përvojën, aftësitë profesionale, namin dhe njohuritë e shumta që kam në qarqet sportive, por jo vetëm, jam angazhuar për mirëvajtjen e punëve në Klub.

Edhe pse kam synuar dhe kam pritur më shumë, mund të them se edhe kjo që është arritur, është diçka shumë e madhe gjë që e pranojnë të gjithë – duke filluar nga zyrtarët e FFK-s, ata të klubeve të tjera, tifozët tanë të mrekullueshëm e deri te opinioni sportdashës gjakovar e kosovar. Kushtet për punë në fushë dhe në stadium janë dukshëm më të mira se që kanë qenë deri më tash, dhe kjo vërehet në çdo hap. Kemi arrit sukses të jashtëzakonshëm kur në një konkurrencë tejet të ashpër ia kemi dalë të plasohemi në finalen e Kupës së Republikës, ku synojmë të fitojmë Kupën ndërsa jemi në rrugë për të siguruar ekzistencën në Super Ligë, mundësisht pa pasur nevojë për ndeshjen e barazhit, ose edhe me të.

Ka mjaft individ të cilëve këto rezultate u kanë penguar, e tash po del që në mesin e tyre qenka edhe ish kryetari i Klubit, Shkelzen Gashi. Ndryshe nuk mund ta kuptoi që ai këto sulme dhe këto akuza ndaj meje dhe ndaj K.F.”Vëllaznimi” po i bënë mu në këto momente që janë përcaktuese për të ardhmen e Klubit. Është i pakuptimtë “kujdesi” i tij i tashëm ndaj trajnerit tonë të deridjeshëm, Arsim Gojanit, kur të njëjtin dy herë e kishte larguar nga Klubi, kur kishte angazhuar Skender Shengylin dhe më vonë kur kishte angazhuar Ismet Munishin. Na, asnjë herë nuk kemi thënë se Arsim Gojani ka punuar dobët, sepse ai na ka sjell deri në finale të Kupës, por rezultatet e dobëta në 4-5 ndeshjet e fundit na kanë imponuar që të bëjmë ndonjë ndryshim me shpresë dhe bindje se ndryshimi do të sjell freski në ekip në këto momente vendimtare. Kjo ka qenë arsyeja e vetme pse është larguar trajneri Gojani.

Sa i përket akuzave të ish kryetarit në adresë timen kinse për keqpërdorime financiare, mund të them se shifrat që ai përmend janë shumë të fryera, të pa sakta dhe tendencioze. Megjithatë mendoi se ai nuk është personi të cilit duhet raportuar për shpenzimet financiare. Me të përfunduar të këtij edicioni të garave, një raport detaj financiar do t’i prezantohet themeluesit të Klubit, Komunës së Gjakovës dhe Kryetarit të Komunës, z.Ardian Gjinit. Më pastaj, me vendim të përbashkët, ai raport do të bëhet publik edhe për opinionin.

Jam i bindur se të gjitha këto akuza të trilluara në adresë timen dhe të K.F.”Vëllaznimi” nuk do të luhatin unitetin e madh të demonstruar deri më tash brenda Klubit e as në relacionin Klub – Tifozë, posaçërisht jo në këto momente që janë vendimtare për të ardhmen e Klubit. Unë do të vazhdoi të angazhohem dhe të kontribuoi për të mirën e Klubit me tërë qenien time, njohuritë e mija profesionale dhe namin që e kam në botën e sportit. Këtë do ta bëjë deri në momentin që ata që më kanë emëruar në këtë post e vlerësojnë se duhet të vazhdoi këtë punë.

Shumë i sigurt që ata që dëshirojnë të krijojnë amulli në Klub, nuk do të kenë sukses, i ftoi të gjithë që ia duan të mirën K.F.”Vëllaznimi” që në këto momente të rëndësishme të jenë sa më pranë Klubit, në mënyrë që një punë e mirë që është bërë 3-4 muajt e fundit, të kurorëzohet me sukses”, reagon Cana, kryetar i KF Vëllaznimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat