Juventusi luan sot një tjetër ndeshje të rëndësishme.
Bardhezinjtë pas fitores në derbin e Italisë ndaj Interit që krijoi shumë polemika kërkon t’u tregojnë të gjithëve se janë skuadra më e fortë në Itali dhe duan të mbyllin sa më shpejt çështjen titull.
Mbrëmjen e sotme në Allianz Stadium bardhezinjtë presin Bolognan në një sfidë të thjeshtë në letër. Pa Pjaniç të skualifikuar dhe Mandzukic e Chiellinin të dëmtuar, skuadra e Allegrit do të synojë me çdo kusht fitoren për të shkuar përkohësisht në +7 nga Napoli dhe për të shpresuar te një dhuratë e Torinos neser në sfidën ndaj të kaltërve për t’u shpallur matematikisht kampionë të Italisë për të 7-ën herë radhazi.
Java e 36-të e Serisë A, nis me sfidën e San Siros që do të zhvillohet në orën 18:00 mes Milanit dhe Veronës. Kuqezinjtë do të synojnë të hakmerren për atë humbje 3-0 të fazës së parë në Bentegodi që lëkundi pozitat e Gattusos në stolin e kuqezinjëve.
Një sukses do ta ngjiste Milanin përkohësisht në vendin e 6-të që të kualifikon direkt në Europa League në pritje të sfidës që Atalanta do të ketë ndaj Lazios në transfertë këtë të dielë.