Dhuna ndaj Ilir Tartarit

Futboll

Dhuna ndaj Ilir Tartarit

Më: 6 maj 2018 Në ora: 15:32
Pamje para ndeshjes

Federta Shqiptare e Futbollit ka reaguar në lidhje me pretendimet e arbitrit Ilir Tartari, se në ndeshjen Flamurtari-Vllaznia, ndaj tij është ushtruar dhunë. Me anë të një deklarate, të publikuar në faqen zyrtare të federatës, FSHF-ja shprehet se dënon dhunën ndaj zyrtarit të ndeshjes dhe kërkon dënimin e autorëve. Sipas FSHF-s dhuna ndaj zyrtarëve të ndeshjes është ushtruar në prani të forcave të policisë, ndërkohë këtyre të fundit u kërkon të veprojnë menjëherë për këtë akt.

“Dhuna e ushtruar të shtunën në mbremje mbi arbitrin dhe zyrtarin e ndeshjes në përfundim të takimit Flamurtari-Vllaznia, në stadiumin “Flamurtari” të Vlorës ka tronditur mbarë opinionin sportiv si një akt shumë i shëmtuar dhe i dënureshëm. Ky agresion fizik karshi asistentit të parë të arbitrit, dhe më pas edhe ndaj vëzhguesit të ndeshjes, ka ndodhur në prani të forcave të policisë në stadium, por duke mos e parandalur atë. Ky rast është denoncuar zyrtarisht edhe pranë autoriteteve ligjzbatuese në Vlorë. FSHF i bën apel Policisë së Shtetit, për të zbardhur të plotë një incident të tillë, ku pas dëshmisë dhe denoncimit të arbitrit të dhunuar përpara Oficerit të Policisë Gjyqësore të veprojë menjëherë në bazë dhe zbatim të ligjit, për të cuar përpara drejtësisë agresorët që zbritën dhe goditën arbitrat dhe zyrtarët e ndeshjes”-thuhet ndër të tjera në deklaratën e FSHF-s.

Më tej federata ngarkon me përgjegjësi klubin e Flamurtarit për masat organizative të ndeshjes, duke paralajmëruar kështu edhe ndëshkim të tij nga Komisioni i Disiplinës.

“Po kështu, organizatori i ndeshjes, klubi i futbollit Flamurtari mban përgjegjësi direkte për mosmarrjen e masave për organizimin dhe mbarëvajtjen e ndeshjes, dhe aq më shumë për ti mbrojtur miqtë në shtëpinë e tyre. FSHF dënon me shumë forcë dhunën verbale tashmë të shndërruar në dhunë fizike. Goditja karshi zyrtarëve të ndeshjes mbetet një akt tërësisht antisportiv dhe si i tillë do të ketë zero tolerancë nga ana e Drejtësisë Sportive. Policia e Shtetit dhe Prokuroria duhet të cojnë deri në fund zbardhjen e këtij agresioni të shëmtuar dhe të vënë përpara përgjegjësisë penale autorët e tij”-përfundon deklarata e FSHF-s.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat