Fazliu: Shpresojmë një barazim apo humbje të Prishtinës në Prizren

Futboll

Fazliu: Shpresojmë një barazim apo humbje të Prishtinës në Prizren

Nga: Kemajl Goca Më: 10 maj 2018 Në ora: 19:22
Astrit Fazliu

Dashamirët e futbollit me sy e vesh janë drejtuar nga sfida në Gjilan në mes Dritës dhe kampionit në fuqi Trepçës ’89 dhe të asaj në Prizren mes rivalëve të vjetër, Lirisë dhe Prishtinës. Për Dritën dhe Prishtinën janë pikët më të domosdoshme se kurrë në luftë për titullin e kampionit! 

Drita është në kreun e tabelës me 63 pikë, tri më shumë se Prishtina në pozitën e dytë. Skuadra nga Gjilani lutet që Prishtina të barazon ose të humbë në Prizren, ndërsa ata me fitore të shpallen kampion. Prishtina është e vetëdijshme se përveç fitores çdo rezultat tjetër është kapitullim. Bardhekaltrit janë të mobilizuar deri në pikën e fundit që të kthehen me tri pikë nga stadiumi “Përparim Thaçi” në Prizren.

Si te kampi i Dritës po ashtu edhe te Prishtina është një frymë optimizmi dhe të bindur në tri pikë të reja. Njohësit e futbollit parashikojnë se kampioni mund të vendoset në javën e fundit mes Prishtinës dhe Dritës, pra në duelin direkt mes tyre. Sulmuesi i Dritës, Astrit Fazliu, ka deklaruar për gazetën kombëtare “Bota sot”, si në çdo ndeshje edhe ndaj Trepçës ‘89 futen me qetësi dhe vetëm për tri pikë.

“Nuk diskutohet, kërkojmë tri pikë. Është ndeshje e vështirë, Trepça ‘89 ka ekip kualitative, por ne futemi me të vetmin qëllim: Arkëtimin e tri pikëve. Jemi të përgatitur maksimalisht dhe fatmirësisht nuk kemi mungesa”, tha Fazliu.   Futbollisti lutet që ish skuadra e tij të barazon ose të humbë në Prizren.  

“Shpresojmë një barazim apo humbje në Liri të Prishtinës, dhe ne të arrijmë fitore,  kështu që të shpallemi kampion. Fokusi ynë është te ndeshja me Trepçën ’89, pastaj të shohim  çfarë do të ndodhë në sfidën Liria-Prishtina. Atmosfera është e mirë në ekipin tonë dhe jemi në vend të parët”, tha ai.

A shpresoni të vazhdoni pa humbje edhe pas 26 javëve? “Normal shpresojmë se do të jemi kampion. 26 ndeshje pa humbje? Shpresojmë mos ta prishim këtë ecuri deri në fund”, thotë Fazliu.  Ndeshja mes Dritës dhe Trepçës ’89 luhet nesër në orën 16.00 dhe pritet atmosferë e jashtëzakonshme në stadiumin në Gjilan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat