Partizani nuk paguan për tifozët

Futboll

Partizani nuk paguan për tifozët

Më: 11 maj 2018 Në ora: 16:23
Partizani nuk paguan për tifozët

Tifozët e Partizanit duhet të presin ndeshjen e javës së fundit të këtij kampionati, për ta parë nga afër skuadrën e tyre të zemrës në veprim, nëse duan të jenë në stadium. Kjo, pasi vendimi i Disiplinës, pezullimi me dy ndeshje i tyre, nuk do të “modifikohet”, siç bëhet zakonisht nga klubet, duke e shlyer gjysmën e mbetur financiarisht.

Pra, ndaj Vllaznisë, mbështetësit e kuq duhet ta përcjellin gjithçka nga ekrani i televizionit, sepse klubi nuk ka marrë mundimin të paguajë për ta. Një veprim disi i çuditshëm, po të kemi parasysh kërkesën e trajnerit Klevis Dalipi para disa ditësh, kur shprehte dëshirën e tij që të paguhej gjysma e dënimit dhe tifozët ta mbështesnin Partizanin në një ndeshje delikate ndaj kuqebluve.

Njoftimi i fundit, se ky ballafaqim i javës së 34-t të Superiores do të luhet pa tifozë, në “Selman Stermasi”, tregon se për të kuqtë nuk është “jetë a vdekje”, sikurse e ndërton problemin nevoja për të arritur Kupat e Europës. A kanë hequr dorë “demat” nga kjo gjë dhe do të vijojnë në të njëjtën rrugë si ndaj Teutës, duke u dhënë “oksigjen” të rrezikuarve për të rënë një kategori më poshtë?

Kjo mbetet të kuptohet nga secili prej nesh, edhe nga vetë tifozët e Partizanit, të cilëve ndoshta u është kursyer “bileta” e ndonjë “teatri” të mundshëm në fundjavë. Më mirë kështu për ta, edhe pse thellë brenda vetes e kanë një “gjemb në mish” me Vllazninë, sepse ka qenë “mace e zezë” për ta dhe i ka larguar nga titulli kampion, gjatë rivalitetit të ashpër me Skënderbeun, në dy edicione të kaluara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat