Roma – Juventus, ja çfarë do të ndodhë nëse ndeshja mbyllet në barazim

Futboll

Roma – Juventus, ja çfarë do të ndodhë nëse ndeshja mbyllet në barazim

Më: 12 maj 2018 Në ora: 14:32
Roma-Juventus

Katër ditë pas fitores historike të trofeut të katërt të Kupës së Italisë bardhezinjtë e Juventusit do të udhëtojnë drejt Olimpicos ku përballë do të kenë një Romë plot të papritura që do të mundohet t’ia shtyjë festën e kurorëzimit për të shtatën herë si kampione e Serisë A, Zonjës së Vjetër, edhe pse Juven tashmë nga ky objektiv e ndan vetëm një pikë minimaliste.

Gjithsesi, skuadra e Allegrit vjen optimiste dhe beson se Olimpico do të tregohet sërish një stadium bujar me ta sikundër ndodhi pak ditë më parë ndaj kuqezinjve të Milanit duke i shpallur kampionë të Kupës së Italisë.

Nga ana tjetër kemi një Romë që pas performancave fantastike në gjysmëfinalet e Champions League do të tentojë të shijojë sërish magjinë e këtij kompeticioni edicionin e ardhshëm duke bërë maksimumin për të siguruar vendin e tyre në Evropë.

Verdhekuqtë e Eusebio Di Francescos që aktualisht renditen të tretët në klasifikimin e Serisë A me 73 pikë të grumbulluara kërojnë vetëm një fitore nga dy ndeshjet e fundit që ju takon të luajnë, për të vulosur njëherë e mirë vendin e tyre në arënën prestigjioze të Ligës së Kampionëve.

Kjo skuadër vjen në përballjen e së dielës në formë mjaft pozitive çka nënkupton se shanset e tyre për të shënuar fitoren e 7 në 10 takimet fundit janë optimale.

Në ndeshjen e fundit që verdhekuqtë kanë zhvilluar arritën të merrnin fitoren 0-1 ndaj Cagliarit.

Gjithsesi, në prag të këtij dueli vijnë në ndihmë dhe statistikat me bardhezinjtë që janë skuadra e dytë pas Interit përballë të cilëve Roma shënon numrin më të madh të humbjeve në Serinë A, plot 80 të tilla, gjithashtu Juventusi ka arritur suksesin në 6 nga 9 takimet e fundit me Romën në kampionat, duke e ruajtur portën të paprekur në 5 takime.

Verdhekuqtë vijnë të pamposhtur në tre takimet e fundit në shtëpi ndaj Juves. Roma zbret ne Olimpico pas katër fitoresh rradhazi në kampionat ndërsa bardhezinjtë shënojnë një sukses prej 12 sfidash pa shënuar humbje në transfertat e Serisë A dhe në vetëm katër ndeshje prej tyre kanë pësuar gol.

Masimiliano Allegri ka përsëritur rekordin e tij të pikëve këtë sezon duke numëruar deri më tani 91 të tilla sikundër edhe në edicionin e 2016/17 dhe  2015/16 po me Juventusin.

Edhe në rast barazimi matematika e shpall kampione të Italisë Zonjën e Vjetër ndërkohë që Roma do të siguronte vendin në Champions League. Takimi me sfidën e emocioneve ju pret të dielën në 20:45.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat