FFK-ja sqaron situatën rreth stadiumit të Prishtinës

Futboll

FFK-ja sqaron situatën rreth stadiumit të Prishtinës

Më: 14 maj 2018 Në ora: 17:45
Ilustrim

Federata e Futbollit e Kosovës me kujdes ka përcjellë lajmet për ndeshjen e shumë përfolur dhe kërkesën e FC Prishtina që ndeshja e fundit këtij kampionati ndërmjet dy pretendentëve për titull Prishtinës dhe Dritës të zhvillohet në stadiumin e Prishtinës, ndaj jep këtë sqarim për opinion.

“FFK-ja gjithmonë ka dashur dhe ka qenë e interesuar që ndeshjet të zhvillohen në stadiume të mira dhe sidomos në Prishtinë. Por siç dihet tashmë stadiumi i qytetit në Prishtinë është në rinovim e sipër. Madje FFK-ja ka qenë e interesuar që të paktën dy ndeshje të Kombëtares A të zhvillohen në kryeqytet, por duke ndjekur shqetësimet edhe të UEFA-s, që stadiumi nuk është i gatshëm për zhvillimin e ndeshjeve ka hequr dorë nga një gjë e tillë.

Po ashtu FFK-ja me kujdes ka ndjekur edhe punimet në stadiumin  e qytetit dhe sipas informatave nga Investitorët MKRS dhe  komuna e Prishtinës si dhe punëkryesit, stadiumi mund të jetë i gatshëm diku nga fundi i qershorit i këtij viti dhe paraprakisht duhet të bëhet pranimi teknik tij dhe më pastaj Komisioni i FFK-së për inspektimin e objekteve sportive i FFK-së do të inspektojë dhe vlerësojë se ai përmbushë kushtet dhe kriteret për zhvillimin e ndeshjeve qoftë kampionale qoftë ndërkombëtare.

Së këndejmi me gjithë dëshirën dhe vullnetin që kjo ndeshje të zhvillohet në një stadium të mirë  përkatësisht në stadiumin e qytetit në Prishtinë, ku nuk ka pranim teknik të objektit, FFK-ja edhe njëherë sqaron opinionin se këtu nuk është punë marrëveshjeje apo mirëkuptimi por gjendja është e tillë”, ka thënë zëdhënësi i FFK-së, Fazli Berisha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat