Mërkoja tregon se çfarë i thanë në 12 të natës Arbnor Morina, Avni Stublla e Eroll Salihu

Futboll

Mërkoja tregon se çfarë i thanë në 12 të natës Arbnor Morina, Avni Stublla e Eroll Salihu

Nga: Kemajl Goca Më: 15 maj 2018 Në ora: 13:33
Sejdi Mërkoja

Ish sekretari i parë i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës (1991-1994), Sejdi Mërkoja, tha se mburret për sakrificën që ka bërë me gjithë garniturën e FFK-së së asaj kohe në kohën e pavarësimit të futbollit. Mërkoja tregon edhe kohën se si ka ardhur deri të pavarësimi i futbollit të Kosovës. “Arbnor Morina (kapiten i KF Prishtinës në vitin 1991) ka qenë personi direkt që kontaktoi me kryesine e Federatës së Futbollit të Kosovës së asaj kohe.

Morina me bashkëlojtarët e tij të asaj kohe, Eroll Salihu e Avni Stublla, kanë ardhur në oborrin e shkollës fillore te Lagja e Muhaxherëve në Prishtinë, në orën 00.00 të natës, atëherë kur është kryer mbledhja mes lojtarëve, shtabit teknik dhe kryesisë së klubit Prishtina. Morina na tha se ne lojtarët kemi dhënë dorëheqje dhe i bashkohemi Federatës së Futbollit të Kosovës.

Në ndërtesë kanë mbetur shtabi profesional në krye me Ajet Shoshollin, së bashku me Shefqet Sinanin dhe Ramadan Cimilin, të cilën kishin mbetur ende në mbledhje. Të nesërme në njërën nga kafiteritë e Prishtinës, janë takuar Shefqet Sinani me sekretarin e Federatës, ku isha unë, dhe më ka thënë se edhe shtabi profesional së bashku me Ajet Shoshollin kanë dhënë dorëheqje dhe i bashkohen FFK-së së pavarur.

Ky ishte sinjal që Federata e Futbollit e Kosovës e pavarur, do të ketë sukses në organizimin e klubeve dhe garave.  Por jo vetëm futbolli, por në tërësi sporti i Kosovës ka pas ndikim të madh në qëndrimin e lojtarëve dhe shtabit profesional të KF Prishtinës.  Me 20 gusht, pas këtyre qëndrimeve të KF Prishtinës, është caktuar takimi në shkollën ‘Asim Vokshi’, ku delegatët vendosën që ky takim ta marrë karakterin e Kuvendit themelues të FFK-së së pavarur.

Ndeshja e parë zyrtare është zhvilluar me 13 shtator të vitit 1991 në stadiumin e Flamurtarit në mes KF Flamurtarit dhe të Prishtinës, në praninë e më shumë se 4 mijë shikuesve, e cila përfundoi me fitoren e Flamurtarit me rezultat 3:2. Por më e rëndësishmja ishte që përfundoi me sukses dhe që na dha kurajo për vazhdimin e garave”, tregon për gazetën kombëtare “Bota sot”, Mërkoja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat