Çfarë po ndodh me Kombëtaren? Panuçi shpërndan Çunat e De Biasit

Futboll

Çfarë po ndodh me Kombëtaren? Panuçi shpërndan Çunat e De Biasit

Më: 20 maj 2018 Në ora: 15:07
Kristian Panuçi

Kombëtarja do të grumbullohet larg vendit tonë për të zhvilluar dy ndeshje miqë-sore. Trajneri Kristian Panuçi ka vendosur që kuqezinjtë të kryejnë përgatitjet në fund të sezonit, si hera e fundit që kuqezinjtë do të jenë bashkë për të punuar në kuadrin e ndeshjeve të Ligës së Kombeve që do të startojnë në shtator.

Për miqësoren me Kosovën dhe atë me Ukrainën, kuqezinjtë do të kenë disa risi në listë.

Shumë prej kuqezinjve të De Biazit, për arsye taktike apo edhe prej dëmtimeve do të mungojnë duke bërë që përfaqësuesja të nisë të marrë identitetin e trajnerit të ri me zgjedhjet që bën.

RISITË

Jo pak të reja do të ketë lista e radhës në Kombëtare. I pari që pritet të rikthehet është Rei Manaj. Sulmuesi, pas paraqitjes me Kombëtaren Shpresa, me golat e shënuar ka bërë që të rifitojë vëmendjen e trajnerit të Kombëtares.

Si për ironi, Manaj rikthehet në Kombëtaren A pikërisht kundër Kosovës, ndaj së cilës në vëllazërore ka shënuar pas vetëm disa sekondash në fushë. Takim miqësor, që Shqipëria e luajti në Kosovë, pasi ishte kualifikuar në Europianin e Francës.

MUNGESAT

Azdren Llullaku do të jetë një nga të sakrifikuarit. Trajneri Panuçi nuk e ka preferuar sulmuesin e Entelës për këtë takim. Mungesa e minutazhit dhe mundësia për t’i dhënë hapësirë Manajt në vijën e parë janë disa nga arsyet. Pa ftesë për këtë takim do të jetë edhe Ledian Memushaj.

“Panorama Sport” mëson se ashtu si Llullaku, edhe Memushaj do të jetë pa ftesë. Mirëpo, mesfushori për arsye të ndryshme nga sulmuesi. Futbollisti i Beneventos ka një dëmtim në kavilje që e ka lënë jashtë fushës prej disa javësh dhe pritet që ta lërë edhe për të paktën një muaj.

Me treshen Abrashi, Kukeli e Xhaka që janë të dëmtuar dhe me mungesat taktike që ka bërë trajneri Panuçi, “Shqipëria e De Biazit ” po çmontohet gradualisht dhe ka bërë që kuqezinjtë të marrin një tjetër trajtë, atë në bazë të zgjedhjeve të trajnerit të ri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat