Drita feston titullin e dytë, Isufi tregon për emocionet

Futboll

Drita feston titullin e dytë, Isufi tregon për emocionet

Më: 20 maj 2018 Në ora: 19:18

Drita është kampion i ri i Vala Superligës së Kosovës në futboll. Skuadra e drejtuar nga Bekim Isufi, në ndeshjen e fundit të kampionatit 2017/18, që u zhvillua sot në stadiumin “Shahin Haxhiislami” në Pejë, ka arritur të barazojë pa gola me Prishtinën (0:0), rezultat ky i cili ia mundësoi t’i gëzohet titullit të dytë në histori të klubit pas atij në vitin 2003. Kësisoj, Drita e mbylli kampionatin me 67 pikë, tri më shumë se Prishtina dhe me një rekord prej 29 ndeshjeve radhazi pa humbje.

Do të jetë pikërisht kjo skuadër e cila do të na përfaqësojë në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve, derisa Prishtina për të dytin vit rresht do të luajë në Europa League. Përballja e fundit e kampionatit, e cila ishte vendimtare për skuadrën e cila do të jepte emrin e kampionit zgjoi një interesim të jashtëzakonshëm të tifozëve të dyja skuadrave, mirëpo kushtet e stadiumit e pamundësuan që të gjithë të ishin në tribunat e stadiumit. Megjitatë, tifozët gjilanas gjetën mënyra tjera për ta ndjekur ndeshjen në çati të banesave përreth stadiumit, por edhe në afërsi të tribunës perëndimore.

Drita, e cila ishte e favorizuar për shkak se i shkonin përshtati tri rezultate, humbja me një gol diferencë, barazimi dhe normalisht fitorja, u tregua shumë më e qetë dhe me mençuri të madhe e menaxhoi lojën, duke mos e lejuar thuajse për asnjë moment Prishtinën ta rrezikojë portën e Leutrim Rexhepit. Drita e nisi mirë ndeshjen dhe qysh në minutën e dytë pati mundësi ideale për të shënuar kur Xhevdet Shabani e shërbeu për mrekulli Endrit Krasniqin, por gjuajtjen e këtij të fundit e dëboi Visar Bekaj. Mundësinë e vetme në këtë pjesë Prishtina e pati Mankenda, në minutën e 31-të, kur u rrëzua brenda zonës, por gjyqtari Tahiri nuk reagoi. Ndërkohë, në minutën e 32-të për Prishtinën u vështirësuan dukshëm gjërat, kur Debatik Curri u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrje të ashpër ndaj Xhevdet Shabanit jashtë vijës anësore, duke e lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë në fushë. Në pjesën e dytë, Drita e menaxhoi mjaft mirë lojën, derisa Prishtina nuk pati forcën e duhur për të rrezikuar seriozisht portën kundërshtare.

Edhe në këtë periudhë mundësia më e mirë iu dha gjilanasve për të shënuar, kur Përparim Livoreka depërtoi në zonë por golin ia mohoi Bekaj. Ndërkohë, në minutat shtesë Prishtina mbeti edhe me një lojtar më pak, kur Armend Dallku, nuk arriti t’i përmbajë nervat, duke qëlluar Bujar Shabanin. Në fund, medaljet për kampionët i shpërndanë presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri, kryeministri Ramush Hajradinaj dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, derisa trofeun e kampionit kapitenit të Dritës, ia dorëzuan së bashku presidenti Vokrri dhe Haradinaj.

Bekim Isufi, trajner i Dritës, tha: Janë emocionet e para. Ka qenë kjo ndeshje si një finale. Ndjehem shumë i lumtur për këtë sukses. Mendoj se Drita e ka merituar si me lojëra si me shikueshmëri. Por, të gjitha ekipet e kanë bërë interesant këtë kampionat, duke qenë konkurrente. E kishim përgatitur mirë këtë ndeshje dhe pas rastit tonë që patën në fillim të ndeshjes Prishtina disi u tërhoq, duke na e pasur frikën dhe më pas e menaxhuam më lehtë ndeshjen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat