Mrekullia e Ferizajt, çudia e Vëllaznimit!

Futboll

Mrekullia e Ferizajt, çudia e Vëllaznimit!

Nga: Kemajl Goca Më: 25 maj 2018 Në ora: 19:13
Fillim Guraziu në veprim

Gjithmonë është thënë se ndeshjet e barazhit janë sikurse finale dhe nuk ka favoritë pavarësisht se ndonjë skuadër mund të ketë cilësi më shumë se tjetra. Kjo u dëshmua edhe në këtë edicion, në radhë të parë Flamurtari i Prishtinës falë penalltive mbeti në elitë, pasi që e mundi me 6:5 Vushtrrinë, anëtare të Ligës së Parë të Kosovës.

Ndeshja në kohën e rregullt kishte përfunduar me rezultat 1:1, po ashtu edhe pas vazhdimeve dy herë nga 15 minuta dhe Flamurtari me penallti mbetet në elitë. Mrekullia e Ferizajt, për faktin se ishte renditur (51 pikë) në vend të katërt në Ligën e Parë dhe luante me Vëllaznimin e Gjakovës, që renditej në pozitën e nëntë (44 pikë) në elitë. As laiku më i madh nuk e priste që Ferizaj mund ta rrëzojë Vëllaznimin, megjithatë ndodhi. Ndeshja për 90 minuta nuk solli gola por as pas vazhdimeve dy herë nga 15 minuta dhe Ferizaj triumfoi me penallti me rezultat 3:2.

Çudia e Vëllaznimit sepse ishin në epërsi me 2:0 me penallti dhe menduan se e siguruan elitën, por ngjau përmbysja, që pak kushte e priste! Sulmuesi i Ferizajt, Fillim Guraziu, ka deklaruar për gazetën kombëtare “Bota sot”, se puna ishte çelësi kryesorë që ekipi pas një viti u rikthye në elitë! “Harmonia në ekip, puna profesionale e profesorit (Bylbyl Sokolit), angazhimi maksimal i kryesisë kanë qenë faktor determinues për këtë inkuadrim”, tha Guraziu.

Ndeshja përplot 120 minuta nuk ka qenë e bukur për shikues por edhe ka pasur shumë pak raste shënimi, megjithatë Ferizajt i priu fati në penallti dhe duke iu falënderuar edhe portierit Armend Blakçorit, që priti tri penallti.  Çfarë e veçojë Ferizajn për 120 minuta? “Shpirti luftarak i skuadrës ka qenë vendimtar në këtë ndeshje, ku djemtë kanë dhënë 100%”, tha Guraziu. Në ndeshjen që u zhvillua në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, të zhgënjyer mbeten tifozët “Kuqezinjtë e Jakovës” dhe në anën tjetër festë të tifozët ferizajas, “Ujqit!.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat