Kupat e Europës, “ligjin” e bën Spanja, 14 nga 15 trofetë e fundit…

Futboll

Kupat e Europës, “ligjin” e bën Spanja, 14 nga 15 trofetë e fundit…

Më: 28 maj 2018 Në ora: 08:27
Ronaldo dhe Bale

Stadiumi “Lilleküla”, Tallin, muaji gusht, për herë të katërt në pesë edicionet e fundit Superkupa e Europës do të jetë e gjitha spanjolle. Për më tepër, në këtë rast dy ekipe nga i njëjti qytet, Madridi, do të ndeshen në Estoni, Real dhe Atletico.

Agjencitë e udhëtimit nga Spanja, gjatë kësaj periudhe, kanë pasur më shumë punë në pranverë. Që nga viti 2000, iberikët kanë ngritur 30 trofe ndërkombëtarë në nivel klubesh, për të tjerët kanë lënë vetëm disa thërrime.

Nëse përqendrohemi te pesë sezonet e fundit, dominimi është bërë total. 14 nga 15 trofetë e fundit europian janë fituar nga ekipet spanjolle. Përjashtim ka bërë vetëm Manchester United i Jose Mourinho, që fitoi Europa League në vitin 2017 duke mposhtur Ajax në finale.

Në Champions nuk ka pasur histori, katër triumfe për Real dhe një për Barcelonën. Në Superkupë, tre suksese të Real dhe një nga Barcelona. Në Europa League, “tripletë” e Sevilla dhe suksesi i Atletico, pak ditë më parë.

Gara e fortë në La Liga ka shërbyer për të rritur vazhdimisht nivelin e klubeve spanjolle, vetëm Premier League mund të krahasohet, teksa Juventus, Bayern dhe Paris SG nuk kanë rivalë në kampionatet përkatëse.

E veçanta e trofeve spanjollë është stili i ndryshëm. Nga Barcelona, që krenohet me “prodhimin vendas”, te Real Madrid, që ka gjetur grupin e duhur të futbollistëve pas një dekade me shpenzime, deri ta grupi solid i Atletico Madrid, bazuar te taktika e Simeone, pa harruar lojën “emocionuese” të Sevilla, të ndryshon lojtarët, por jo thelbin…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat