Kombëtarja e Shqipërisë zhgënjeu me lojë e rezultat në ballafaqim me Ukrainën, duke pësuar humbje me 4:1, në ndeshjen miqësore që u zhvillua në stadiumin modest, me kapacitet 3 mijë shikues, në Evian të Francës. Në 45 minutat e para Shqipëria bëri lojë shumë të dobët sidomos reparti i mbrojtjes ka qenë i përgjumur, kurse sulmi jo në nivelin e pritur.
Kjo është humbja e dytë rresht dhe e thellë e Shqipërisë në miqësore, sepse me 29 maj kishte pësuar në Zurich me 3:0 edhe nga Kosova. Një humbje e rendë dhe një goditje e madhe edhe për përzgjedhësin e Shqipërisë Christian Panucci, që diçka nuk po i shkon ashtu siç duhet. Në minutën e 15-të, Shqipëria me fat, Konoplyanka jashtëzakonisht i rrezikshëm, por gjuajtja e tij devijohet në korrne. Pas tre minutave (18’), Yarmolenko në pozitë ideale, por për fat të mirë të Berishës topi shkoi jashtë portës.
Në minutën e 31-të, mbrojtja e shthurur e Shqipërisë i dha mundësi ukrainasve të kalojnë në epërsi. Futbollisti Evgen Konoplyanka nga rreth 13-14 metra me një goditje të fortë la të shtangur portierin Etrit Berisha, 0:1. Mbrojtja e Shqipërisë nuk është në nivel, të cilët nuk janë të përqendruar si duhet. Andriy Yarmolenko në 16-sh mashtron mbrojtjen dhe me goditje të fortë mposht Berishën, 0:2 pikërisht në minutën e 36-të.
Në fund të pjesës së parë, Andriy Yarmolenkon shfrytëzoi gabimin e mbrojtjes dhe thelloi epërsinë në 0:3. Në minutën e 88-të, shtylla shpëton Shqipërinë, pas goditjes së Yarmolenkos. Emanuele Ndoj në minutën e 89-të ngushton rezultatin në 1:3, pas goditjes nga rreth 14 metra e përtokë. Në minutën e 90-të, Evgen Konoplyanka vulosi fitoren në 1:4.
Shqipëria-Ukraina 1:4
Stadiumi në Evian të Francës.
Shikues: 3.000.
Gjyqtar: F. Letexier (Franca).
Shënues: Ndoj (89’) - Konoplyanka (31′, 90′), Yarmolenko (36′ e 45′).
Shqipëria: Berisha, Veseli, Gjimshiti, Mavraj, Hysaj, Lilaj (Ajeti 65′), Ramadani (Qaka 26′), Ndoj, Lenjani (Balaj 46′), Roshi (Memolla 46′) dhe Manaj (Cikalleshi 57′).
Ukraina: Lunin, Butko (Karavaev 82′), Burda, Krivtsov, Sobol, Malinovsky (Sydorchuk 71′), Zinchenko (Kovalenko 71′), Marlos (Shaparenko 57′), Yarmolenko, Konoplyanka dhe Besiedin (Seleznev 46′).