Sermaxhaj: Drita më vështirë, Prishtina më lehtë në Evropë

Futboll

Sermaxhaj: Drita më vështirë, Prishtina më lehtë në Evropë

Nga: Kemajl Goca Më: 12 qershor 2018 Në ora: 19:47
Genc Sermaxhaj

Kampioni i Kosovës, Drita nga Gjilani, ka mësuar kundërshtarin për garat parakualifikuese për Champions League. Drita do të ndeshet me FC Santa Coloma nga Andorra, një skuadër mjaft e papërshtatshme. Synimi i gjilanasve është të sigurojnë kalimin në rrethin e parë të eliminatorëve të Championsit.  Analisti i futbollit, Genc Sermaxhaj, tha se është short i vështirë për Dritën. “Sigurisht që do të jetë përballje e vështirë për Dritën, por shumë e rëndësishme nëse arrin të kaloj këtë rreth të garave. 

Këto ndeshje janë me ngarkesë për futbollistët sepse paraqiten për herë të parë në Champions League dhe gjithsesi se përvoja jonë ndaj kundërshtarit është më e vogël, por duhet të jemi të durueshëm, të angazhohemi e të japim më të mirën nga vetja. 

Në asnjë mënyrë nuk duhet të nënçmohet kundërshtari por ndeshjes t’i qasen me seriozitetin me të madh”, thotë Sermaxhaj për gazetën kombëtare “Bota sot”. Ndërkaq, Prishtina do të ballafaqohet me ekipin nga Gjibraltari, FC Europa. 

Prishtina është favoritë dhe beson se do kalojë rrethin parakualifikues të Europa League. “Europa nga Gjibraltari, vend ky që së fundi është pranuar në organizmat e futbollit botëror, i shtrirë në jug të Spanjës me vetëm 6.7 km katror dhe me 32.000 banorë, historia e futbollit si vend i mbizotëruar nga britanikët vije shumë më herët, por ekspansionin e kanë arritur tani nëpërmjet garave ndërkombëtare. Skuadra e lartëpërmendur ka mbyllur kampionatin si e 2-ta me 5 pikë më pak se kampionët rekorder të këtij vendi, Lincoln. Nga viti 2014 ka arritur që nga 5 edicione të kaloj një raund në vitin 2016 duke e eliminuar skuadrën armene Pyunik, por pastaj u mposhtë minimalisht nga suedezet e AIK në dy ndeshje me rezultat të njëjtë 1:0. Skuadrës i ka prirë më parë edhe ish-trajneri i Shkëndijës, boshnjaku Bruno Akrapoviç (2014/15). Skuadra që vlerësohet si amatore nga transfermarkt ka shumicën e futbollistëve spanjoll, por më të njohurit ka dy ganezë që kanë prekur pak futbollin edhe në Belgjikë e Holandë. Po ashtu edhe trajneri nuk është i njohur dhe që bëhet fjalë për një spanjoll që më parë ka qenë drejtor i klubit”, bëhet e ditur nga FC Prishtina.

Sa i përket Prishtinës, Sermaxhaj mendon se do ta ketë më lehtë. “Mendoj se kundërshtari i Prishtinës është më i lehtë se ai i Dritës, por në asnjë mënyrë Prishtina nuk duhet të nënçmojë kundërshtarin e saj sepse e dimë se këto ndeshje janë të rëndësishme”, ka thënë Sermaxhaj. Drita me 26 qershor do të takohet në Gjibraltar me ekipin  Santa Coloma, ndërsa Prishtina me 28 qershor takimin e parë e luan në Gjibraltar me Europa, kurse të kthimit me 5 korrik. “Shpresojmë që Prishtina dhe Drita të kenë paraqitje të mira dhe pozitive”, tha Sermaxhaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat