MKRS ndan 100 mijë euro për stadiumin e Kamenicës

Futboll

MKRS ndan 100 mijë euro për stadiumin e Kamenicës

Më: 22 qershor 2018 Në ora: 16:50
Kamenicë

Në vazhdën e investimeve në infrastrukturën sportive, sot ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me kryetarin i Kamenicës, Qëndron Kastrati për përfundimin e punimeve në stadiumin e këtij qyteti.

Ministri Gashi u zotua se brenda një periudhe të shkurt do e përmbyllin projektin e palestrës sportive, punimet e të cilit kanë nisur 14 vite më parë.

Gashi u shpreh se për fazën finale të stadiumit të Kamenicës kanë ndarë për këtë vit 100 mijë euro.

Gashi: 100 mijë euro kemi ndarë për fazën finale të stadiumit

"Bëhet fjalë për një projekt i cili ka filluar 14 vite më parë dhe nuk ka përfunduar. Kështu që bashkërisht u dakorduam që ta përmbyllim projektin e palestrës sportive të Kamenicës dhe është një përkushtim i yni i madh që këtë projekt ta përfundojmë këtë vit....Gjithashtu, është një projekt tjetër që bashkërisht e nënshkruam një aneks shtesë se memorandumit të bashkëpunimit. Bëhet fjalë për stadiumin e Kamenicës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka të planifikuar 100 mijë euro dhe besoj që me këtë shumë ne do ta përmbyllim fazën finale të këtij projekti në mënyrë që sportistëve, klubeve që janë në ligw të parë t’iu krijojmë kushte dhe mundësi", u shpreh ai.

Gjatë këtij takimi, ministri Gashi tha se me të parin e Kamenicës, Qëndron Kastratin u dakorduan edhe që një pjesë e Shtëpisë së Kulturës të bëhet Qendër Rinore.

Tutje ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit tha se në Kamenicë do të investojnë edhe në trashëgiminë kulturore, ku do të bëjnë restaurimin e tri xhamive dhe kompleksin "Rexhep Mala".

Kurse, kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati duke falënderuar ministrin Gashi për përkushtimin u shpreh se gjatë këtij takimi kanë biseduar për përfundim të projekteve të cilat kanë nisur 14 vite më parë.

Kastrati: Do të bëjmë zgjidhje të shpejta

"Patëm një takim së bashku, diskutuam për projektet që janë duke u realizuar në këtë komunën tonë nga Ministria e Kulturës ka projekte që janë mbi 14 vite që ende nuk kanë përfunduar qysh duhet. Jam jashtëzakonisht të kënaqur me qasjen e ministrit se si është shumë i interesuar që të bëjmë zgjidhje sa më të shpejta dhe t'i përfundojmë këto projekte", tha ai.

Ministri Gashi së bashku me kryetarin e Kamenicës, Qëndron Kastrati kanë vizituar edhe stadiumin e qytet, ku u njoftuan nga afër për punimet që po zhvillohen aty.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat