Shkëndija kërkon fitore sa më bindëse kundër ekipit nga Uellsi

Futboll

Shkëndija kërkon fitore sa më bindëse kundër ekipit nga Uellsi

Më: 9 korrik 2018 Në ora: 16:11
Osmani e Alimi

Kampioni dhe fituesi i Kupës së Maqedonisë, skuadra shqiptare Shkëndija nga Tetova, është e mobilizuar si asnjëherë me parë për fitore kundër The New Saints (TNS) nga Uellsi, sfida e parë e eliminatorëve të Champions League, e cila luhet nesër në orën 20.15 në stadiumin ‘Filip II Arena’ në Shkup.  Kuqezinjtë janë gati për pjesëmarrjen e dytë në histori në eliminatorëve të Championsit.

Pas vitit 2011 dhe përballjeve me Partizanin e Beogradit në debutimin e Shkëndijës në kupat europiane, tani vjen tjetër paraqitje në garën më kualitative në Europë. Ndërkohë ndërmjet këtyre dy paraqitjeve në Champions kuqezinjtë kanë mbledhur përvojë në UEFA Europa League, kur dy vitet e fundit skuadra arrinte në fazën e play-offi. Para ndeshjes me optimizëm janë shfaqur trajneri Qatip Osmani dhe kapiteni Armend Alimi.

“Rezultatet që kemi bërë gjatë fazës përgatitore na japin shpresë se Shkëndija është e gatshme për këtë ndeshje. Sigurisht se nuk do të jetë e lehtë, përballë një kundërshtari që luan rregullisht në Europë dhe ka përvojë të ndeshjeve të këtilla.

Gabim është që na shikojnë si favorit, pasi edhe në vetë hedhjen e shortit ne ishim në vazon e jofavoritëve”, tha kryetrajneri Qatip Osmani. “Kemi analizuar kundërshtarin, nuk e di si do të luajnë nesër, por në raste të caktuara mbyllen shumë në zonën e tyre. Prandaj ne këtë ndeshje e marrim me seriozitet maksimal dhe do dalim në fushë për të dhënë më të mirën në kërkim të rezultatit pozitiv që do të jetë fitorja. Me rëndësi të shënojmë dhe mos pranojmë gol, megjithëse do të donim të fitojmë sa më bindshëm që mundet”, përfundoi Osmani.

Futbollisti Armend Alimi shprehet se do të jetë ndeshje e vështirë, por beson në fitore dhe të hjenë më të qetë për takimin e kthimit.  “Mendoj se na pret ndeshje e vështirë, por ne kemi zhvilluar fazë përgatitore shumë cilësore në Slloveni. Mendoj se me ndeshjet që kemi zhvilluar në Slloveni kemi arritur formën maksimale dhe jemi të motivuar të hyjmë sa më mirë në këtë ndeshje. Duam fitore pa gol të pranuar”, tha kapiteni, Armend Alimi. Kuqezinjtë tanimë janë vendosur në Shkup, ndërsa sonte në orën 18:45 do të zhvillojnë seancën stërvitore në terrenin ku do të luhet ndeshja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat