Rrëfehet portieri më i shtrenjtë në histori: Mendova të tërhiqem, por zoti bëri mrekullinë

Futboll

Rrëfehet portieri më i shtrenjtë në histori: Mendova të tërhiqem, por zoti bëri mrekullinë

Më: 20 korrik 2018 Në ora: 22:39
Alison

Para dy vitesh vlente 8 milionë euro dhe “ngrohte” stolin tek Roma, ndërsa sot ai është portieri më i shtrenjtë në historinë e futbollit. Alisson Becker ka thyer rekordin e transferimeve, sa i përket portierëve, pasi Liverpool dridhi në arkat e Romës plot 75 milionë euro për ta marrë në “Anfield”.

Alisson ka bërë një rrëfim mjaft interesant pas prezantimit tek “The Reds”, ku ka folur për vështirësitë që ka pasur gjatë kohës kur ishte fëmijë dhe idesë për tu tërhequr nga futbolli pasi ishte i shkurtër.

“Arsyeja e vërtetë pse fillova të luaj në portë ishte prej vëllait tim. Unë luaja me shokët e tij dhe ata ishin të gjithë më të mëdhenj se unë. Dhe kur zgjidheshin skuadrat, unë isha më i shkurtri dhe më i vogli, dhe nuk kishte diskutime që do isha në portë. Fillova të luaj për të rinjtë e Internacionalit, një nga klubet më të mëdha në Brazil. E qartë se po bëja diçka të mirë. Por, kisha një problem. Isha edhe një shkurtabiq. Fizikisht u maturova vonë, dhe të gjithë portierët në moshën time ishin më të gjatë dhe më të fuqishëm se unë. Patëm një test që vendoste nota për lojtarët, dhe shokët e mi morën të gjithë notën 5(maksimale), ndërsa unë u vlerësova vetëm me 2. Një portier duhet të jetë i gjatë që të kërcejë.”

Kur tek Internacionali erdhi një portier tjetër nga Palmeirasi, ai dukej se i kishte ditët e numëruara. “Edhe ai ishte më i madh dhe më i fortë se unë. Unë mendoja: ‘Sa bukur. Tani jam zgjedhje e tretë. Si do mund të luaj ndonjëherë për Brazilin kështu?’

“Kisha shumë dyshime për veten. Më pas, erdhi koha për Kupën Nike, kompeticion për 14-15 vjeçarë. Por nuk luajta. Dhe sinqerisht, mendova ta lë fare. Doja të isha si legjendat Kasijas dhe Bufon, që kishin debutuar që 17 vjeç. Por, ata më pritën edhe një sezon tjetër, dhe mendoja se Zoti ishte me mua. Teknika ime u përmirësua shpejt. Më pas ndodhi diçka fantastike, unë më në fund fillova të rritem. Në një vit, shkova nga 170 cm në 187 centimetra. Edhe fiziku filloi të më rritej. Ndoshta, ky ka qenë plani i Zotit për mua” – deklaron Alison.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat