Kundër kurdisjeve

Futboll

Kundër kurdisjeve

Më: 22 korrik 2018 Në ora: 12:42
Ejup Osmani

Në kuadër të edicionit të 10-të të Kampit Kombëtar për grupmoshat nën 15-vjeç që po organizohet nga Federata e Futbollit e Kosovës në Durrës, zyrtari për integritet, z. Ejup Osmani, ka mbajtur ligjeratë me pjesëmarrësit e këtij kampi, me qëllim të vetëdijesimit për parandalimin e kurdisjeve të ndeshjeve. Para njomakëve, z. Osmani, ka ligjëruar për rëndësinë që po e japin UEFA e FIFA, por edhe FFK-ja në luftimin e dukurive të tilla negative, siç është kurdisja apo manipulimi i rezultateve të ndeshjeve të futbollit.
Fillimisht z. Osmani u ka shpjeguar futbollistëve të rinj për rolin që ka sektori i integritetit të garave në FFK për mbarëvajtjen e garave dhe mbrojtjen e tyre nga manipuluesit. Tutje Osmani ka thënë se kjo ligjeratë mbahet për grupmoshat e reja në mënyrë që ato në të ardhmen të dinë se si të mbrohen dhe t’i thonë jo presioneve të ndryshme të manipuluesve.

“Futbolli është argëtim dhe luhet për shikuesit, e jo për njerëzit manipulues, të cilët bëjnë kurdisje të ndeshjeve dhe të cilët burimin e parave e kanë nga punët e pista si droga, krimi, prostitucioni etj. Duhet ta keni parasysh që do të përballeni me sfida të tilla në të ardhmen, ku manipulues të tillë për përfitime personale apo klanore do të ofrojnë dhurata të ndryshme por edhe para për kurdisje të ndeshjeve, prandaj mos harroni dhe thuani gjithmonë jo të keqes në futboll. Mos lejoni asnjëherë, pa marrë parasysh presionin, që të bëheni vegël e njerëzve të tillë që duan të përfitojnë shuma marramendëse nëpërmjet jush.

Angazhohuni që gjithmonë loja të jetë korrekte dhe rezultati të jetë epilog i forcave reale të skuadrave në fushë“, ka theksuar ndër të tjera zyrtari për integritet i FFK-së, z. Ejup Osmani. Kjo ligjeratë u ndoqë me interesim të madh nga futbollistët e rinj, të cilëve sigurisht se informatat dhe këshillat e përfituara nga kjo ligjeratë do t’u ndihmojnë në të ardhmen për t’u përballur më lehtë me sfidat e tilla eventuale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat