Sarri: Hazard është me ne

Futboll

Sarri: Hazard është me ne

Më: 10 gusht 2018 Në ora: 15:38
Sarri: Hazard është me ne

Maurizio Sarri ka zbuluar se Eden Hazard është i lumtur te Chelsea dhe këmbënguli se do të ishte e pamundur që ai të largohej për te Real Madridi në këtë fazë. Belgu ka qenë prej kohësh në radarin e “Los Blancos”, pasi Julen Lopetegui e konsideron atë zëvendësuesin e duhur për Cristiano Ronaldon, i cili u largua për te Juventusi më herët, merkaton e kësaj vere.

Thibaut Courtois e ka bërë tashmë lëvizjen nga “Stamford Bridge” te kampionët europianë dhe ka insistuar se do të ishte fantastike, nëse Hazard do t’i bashkohej atij në Madrid. “Goal.com” kupton se oferta e rinovimit të kontratës është në tryezën e Hazard, një shifër prej rreth 300 mijë £ në javë, që do ta bënte atë lojtarin më të paguar në historinë e klubit.

Trajneri Sarri është i bindur se ylli i tij dëshiron të mbetet te Chelsea, duke zbuluar se, duke qenë se nuk do të jetë në gjendje të nënshkruajë me një zëvendësues të belgut, pasi merkatoja e Premier League është e mbyllur, bëhet i pamundur largimi i Hazard.

Ai u tha gazetarëve: “Mendoj se është e pamundur, është e pamundur, sepse këtu merkatoja është mbyllur. Tani nuk mund t’i ndryshojmë lojtarët e rëndësishëm, prandaj mendoj se është e pamundur. Hazard është me ne, kam folur me të tri, ose katër herë, për gjithçka, dhe ai kurrë nuk ka thënë diçka për merkaton, prandaj mendoj se është shumë i lumtur të qëndrojë këtu”.

Kur u pyet për një marrëveshje të re me Hazardin, Sarri shtoi: “Nuk dua të diskutoj për kontratat. Nuk është puna ime. Puna ime është në fushë, për të përmirësuar lojtarët e mi.
Dua të përpiqem të fitoj ndeshje, jo të nënshkruaj kontratat e reja, por kam parë një lojtar, që është shumë i lumtur të qëndrojë këtu. Kësisoji, mendoj se nuk do të jetë problem kontrata e re”.

Lidhur me largimin e Courtois, Sarri sugjeroi se kishte “arsye personale” të përfshira në vendimin e portierit për t’u larguar dhe se pas ardhjes së Mateo Kovaçiç dhe Kepa Arrizabalaga, skuadra e tij është e plotë: “Jam shumë i lumtur, situata e Courtois ishte e qartë, ai donte të shkonte në Madrid, kishte disa arsye personale, unë nuk i dija në të vërtetë. Por kemi blerë një portier të ri, një nga më të rëndësishmit në Europë. Jam shumë i lumtur edhe për Kovaçiç, sepse ka karakteristika për ne”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat