Sonte testohet stadiumi “Fadil Vokrri”

Futboll

Sonte testohet stadiumi “Fadil Vokrri”

Më: 13 gusht 2018 Në ora: 18:05
Konferenca për media

Ndeshja mes Prishtinës dhe Dritës, që luhet në kuadër të Superkupës së Kosovës, do të bëjë sonte ri-hapjen e stadiumit “Fadil Vokrri” në kryeqytet, pas renovimit që iu bë. Kjo ndeshje konsiderohet shumë e rëndësishme, pasi pritet lajmi nga UEFA për licencimin e organizimit të ndeshjeve në këtë stadium. E kjo është ndeshja e parë që luhet në këtë stadium prej sa ka marrë emrin “Fadil Vokrri”.

Sekretari i Federatës se Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dolën sot me një konferencë për media ku folën për rëndësinë e ndeshjes që mbahet sonte prej orës 20:00.

Ndeshja e sotme mes Ditës dhe Prishtinës po konsiderohet test ku do të dëshmohet pastaj se Kosova mund të organizojë ndeshje me karakter ndërkombëtar.

Shpend Ahmeti bëri të ditur se disa rrugë të Prishtinës sonte do të bllokohen, meqë dyert do të hapen prej orës 18:00.

Ahmeti: Sonte është sfidë për ne

“Sonte duhet të dëshmojmë të gjithë së bashku se mund të organizojmë lojë edhe të karakterit ndërkombëtar. UEFA sonte me inspektorët e vet do ta konsiderojë këtë lojë pothuajse të karakterit ndërkombëtar, ka kërkuar që të gjitha përgatitjet për ndeshje të bëhet sikurse të ishte kjo lojë ndërkombëtare, prej ardhjes së lojtarëve me autobus, e deri tek ndarja e tifozëve të dy grupeve në dy pjesë prapa golave.. Na përcjellin në çdo gjë dhe kanë kërkuar minimum 3 mijë shikues. Ne i kemi 12 mijë e 900 ulëse në stadium, mbi 5 mijë bileta janë shitur. Ato po shiten edhe sot”, tha ai.

Kryetari i Prishtinës tha se shpreson që punimet në stadiumin “Fadil Vokrri” do të vlerësohen pozitivisht nga ndërkombëtarët.

Ndërsa sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu ftoi qytetarët që e duan futbollin që të jenë përkrahës sonte, meqë siç tha ai, kjo ndeshje është me karakter testues.

Salihu: Loja është e karakterit testues

“Është bërë një punë e madhe, pa marrë parasysh presioneve të mëdha që kemi pas, e kemi caktuar një taskë-forcë, ne mënyrë që mos të kalojmë këtë ‘deadline’, sepse ka qenë dita e fundit që të jepet ‘drita jeshile’. Kemi pas dje e pardje zyrtarë të UEFA-së dhe testi përfundimtar do të jetë sonte. Çdo gjë është duke shkuar mirë. Lus shikuesit që të vijnë të jenë përkrah ekipeve të tyre, por mos të harrojnë faktin që kjo ka karakterin testues”, tha ai.

Stadiumi që pret lajm pozitiv nga UEFA për licencimin e organizimin e ndeshjeve, u rinovua me financim të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komunës së Prishtinës, në vlerë prej 1 milion euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat