Superiorja starton me dhunë, Skënderbeu mposht Partizanin

Futboll

Superiorja starton me dhunë, Skënderbeu mposht Partizanin

Më: 17 gusht 2018 Në ora: 22:30
Skënderbeu dhe Partizani

Duhej të ishte një festë për futbollin, pasi në Korçë po luhej ndeshja e parë e sezonit të ri të Kategorisë Superiore, mes Skënderbeut dhe Partizanit, por tifozëritë e të dy palëve, nuk e konsideruan të tillë.

Tensioni mes dy palëve arriti kulmin rreth minutës së 70′, kur edhe filloi një luftë në distancë me tifozëritë që godisnin njëra-tjetrën me sende të forta.

Disa të plagosur dhe rreth 15 minuta ndërprerje, ishte bilanci i një panorame të turpshme, që do të kërkojë një analizë të thellë dhe marrjen e masave për të eliminuar prezencën e vandalëve në shkallët e stadiumit.

Ndryshe nga pankina, në fushën e lojës gjithçka ishte Fair Play, me dy skuadrat që zhvilluan një luftë të vërtetë sportive, ndërsa fati në fund u buzëqeshi kampionëve në fuqi, Skënderbeut, që fituan me rezultatin minimal 1-0.

Ishte një aksion i shpejtë i Dejvi Bregut, që detyroi portierin e Partizanit Alban Hoxha, të ndërhyjë keq dhe të shkaktojë 11-metërsh në minutën e 90 të takimit.

Penalltinë e mori përsipër mesfushori me eksperiencë Gjergji Muzaka, i cili ekzekutoi saktë dhe shënoi golin e parë sezonal të Skënderbeut, që njëkohësisht ka vlerën e tre pikëve të para.

Korçarët treguan sot ndaj Partizanit, se pavarësisht çfarë ka ndodhur gjatë verës, mbeten skuadra për t’u mundur dhe do të kërkojnë sërish të mbrojnë titullin kampion.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat