Nees: Asgjë nuk iu është falur, por thjeshtë e keni merituar

Futboll

Nees: Asgjë nuk iu është falur, por thjeshtë e keni merituar

Më: 21 gusht 2018 Në ora: 13:39
Nees: Asgjë nuk iu është falur, por thjeshtë e keni merituar

Federata e Futbollit e Kosovës ka organizuar ceremoninë e ndarjes së Licencave C të UEFA-s dhe të certifikatave për lidere “Grassroots”. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, i deleguari i UEFA-s për çështje të edukimit, Dany Ryser, drejtori teknik i FFK-së, Michael Nees dhe menaxherja e FFK-së për Grassroots, Sanije Krasniqi. Fillimisht të pranishmit i përshëndeti sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, i cili theksoi rëndësinë që ka edukimi i trajnerëve për FFK-në dhe për periudhat e vështira nëpër të cilat ka kaluar kjo federatë dhe vetë trajnerët, ku edhe para pranimit në UEFA e FIFA janë gjetur forma dhe mënyra të bashkëpunimit që licencimi i trajnerëve ta bëhej fillimisht përmes Federatës Suedeze të Futbollit, e më pas edhe përmes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe asaj gjermane.

“Licenca C për shumë federata tjera në regjion nuk konsiderohet shumë e rëndësishme, por ne duke e ditur periudhën e vështirë nëpër të cilën kemi kaluar, e kemi mbështetur fuqishëm planin e përpiluar nga drejtori teknik Michae Nees së bashku me Sanije Krasniqin. Pra, kjo është puna bazike, ku merren njohurit themelore për trajner. Të gjithë ne që kemi luajtur futboll mendojmë se dimë shumë për punën e trajnerit, por në momentin që dalim në fushë dhe duhet ta udhëheqim një sesion stërvitor, atëherë e shohim se dimë pak sepse duhet sistem i punës, duhet dije dhe planifikim”, ka theksuar sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, i cili i ka përgëzuar trajnerët për suksesin e treguar në këtë shkollim, duke uruar që së shpejti t’i shohë ata edhe me Licencën B.
Ndërkaq, i deleguari i UEFA-s, Dany Ryser, pasi ka uruar drejtuesit e FFK-së dhe prijësit e këtij projekti, Michael Nees dhe Sanije Krasniqi, ka thënë se pjesëmarrja në këtë kurs u ka dhënë dije më të madhe pjesëmarrësve për zejen e trajnerit. “Kursi i parë për trajner nuk është aspak i lehtë. Më kujtohet kur kam qenë personalisht në kursin e parë për trajner dhe e mbaj mend se kam punuar deri në orët e vona për të qenë i suksesshëm. Kjo ceremoni është një ditë e madhe për ju dhe ju duhet të jeni krenarë për të gjithë këto eksperienca dhe njohuri që i keni marrë gjatë këtij kursi. Tani detyra juaj është që të gjitha këto njohuri t’i transmetoni në fushën e gjelbër tek lojtarët. Kjo është një mundësi e mirë për ju dhe unë besoj se do të keni shumë sukses. Në anën tjetër, drejtori teknik i FFK-së, Michael Nees, ka thënë se ceremonia e ndarjes së licencave është një ndjenjë e jashtëzakonshme, derisa ka treguar përvojën e tij kur ka qenë pjesëmarrës i kursit të parë për trajner. “Mua më kanë munguar ceremonitë e diplomimit, pasi as kur e kam kryer kursin e parë për trajner, por as kur i kam kryer studimet master në shkencat sportive.

Gjithmonë kur i kam përfunduar kurset apo shkollimet dhe kur kam arritur diçka sa i përket ngritjes time profesionale dhe kur kanë munguar ceremonitë e këtilla e kam ndjerë që po mungonte diçka. Prandaj, më vjen mirë që është organizuar kjo ceremoni për  juve dhe ndihem krenar me juve. Këto licenca që i keni marrë janë meritë e punës dhe mundit tuaj. Asgjë nuk iu është falur, por thjeshtë e keni merituar dhe duhet të jeni krenar me arritjet e tuaja”, ka thënë Michael Nees. Nga një fjalim falënderues në emër të trajnerëve pjesëmarrës për  FFK-në dhe të gjithë ata që ishin të përfshirë në këtë projekt e kanë mbajtur edhe Blerta Kaçiu, e cila u shpreh e bindur se tani tërë dijën që e kanë fituar nga ligjeratat e këtij kursi do të dijnë ta shprehin tek fëmijët që merren me futboll. Të rikujtojmë se FFK-ja shumë shpejtë do të nisë edhe me kurset për Licencën B dhe në këtë mënyrë do të vazhdojë me ngritjen profesionale të kuadrove në futboll.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat