De Gea shpëtimtar në fitoren e Spanjës kundër Anglisë në Wembley

Futboll

De Gea shpëtimtar në fitoren e Spanjës kundër Anglisë në Wembley

Më: 8 shtator 2018 Në ora: 22:47
Foto nga ndeshja

David de Gea ka bërë një paraqitje madhështore duke i ndihmuar Spanjës ta mposhtë Anglinë në ndeshjen e tyre hapëse në Ligën e Kombeve të shtunën në Londër.

Pritjet e panumërta të portierit të Manchester Cityt nënkuptuan që Spanja e mposhti 2-1 Anglinë në udhëtim në ndeshjen e parë të Grupit 4 në Ligën A, të Ligës së Kombeve, në “Wembley”.

Në fakt, ishin anglezët që e nisen më mbarë dhe furishëm këtë ballafaqim titanësh, kur Marcus Rashford i kaloi “Tre luanët” në epërsi pas vetëm dhjetë minutave lojë.

Reagimi i skuadrës së Luis Enriques, megjithatë, ishte fantastik, me Saulin që e mposhti Pickfordin vetëm dy minuta më pas.

Një Spanjë me një fytyre të re, me posedim më të ulët të topin dhe pa tiki-taka, e përmbysi Anglinë pas gjysmë ore lojë, kur Rodrigo shënoi nga afërsia me një prekje të topit, pasi u asistua nga Thiago Alcantara.

Në fillim të pjesës së dytë, Anglia ishte shumë pranë ta barazojë rezultatin, por numri një i portës së Spanjës, ia mohoi golin bashkëlojtarit të tij te Unitedi, Marcus Rashfordit, me një pritje të jashtëzakonshme.

Luke Shaw u bart me barelë jashtë fushës në fillim të pjesës së dytë të ndeshjes pas një përplasjeje të frikshme me Dani Carvajalin.

Në minutën e 47-të të takimit, mbrojtësi i majtë po vraponte mbrapa për ta ndjekur një top të gjatë të Sergio Ramosit, kur u përplas në Carvajalin.

Si pasojë, ai u rrëzua dhe e zuri kokën keq.

Shaw mbeti i shtrirë për disa minuta dhe u mjekua nga stafi mjekësor para se të bartej jashtë fushës me barelë.

Anglezët ishin pranë golit edhe në dy raste tjera deri në fund, por në një mbrëmje si kjo, De Gea, nuk mposhtet dot.

Në minutën e gjashtë shtesë, Danny Welbeckut iu anulua një gol, për faull ndaj De Geas.

Por, as nëntë minuta shtesë, të dhënë kryesisht si rezultat i kohës së humbur nga lëndimi i Shaw, nuk i mjaftuan Anglisë ta barazonte rezultatin përkundër një dominimi të madh.

Kështu, Spanja tani ka 3 pikë në Grupin 4 të Ligës A, me Anglinë dhe Kroacinë që mbesin pa pikë, edhe pse kjo e fundit ende nuk e ka zhvilluar asnjë ndeshje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat