Kosovë e Shqipëri, dy trena në drejtim të kundërt

Futboll

Kosovë e Shqipëri, dy trena në drejtim të kundërt

Më: 11 shtator 2018 Në ora: 11:01
Kosova

Në mbrëmjen kur Shqipëria po mbytej në çdo drejtim në shiun skocez në Glasgow, Kosova fluturonte në krye të grupit të vet në Nations League, duke mundur pastër Ishujt Faroe. Dakord, nuk mundi Gjermaninë, por një rival modest, por fundja po bën atë që duhet të bëjë me kundërshtarë që konsiderohen të rangut të vet.

Ishte ndeshja e dytë në Nations League dhe sërish Kosova nuk pësoi gol, por mbi të gjitha luajti futboll të qartë taktik, me një plan në mendje dhe me një skuadër të organizuar. Talente pa fund, duke nisur nga ata që i kemi pasur ne në ekip: Rrahmani, Vojvoda e mbi të gjitha Rashica, në një kohë që dje ishin në stol emra si Zhegrova, Muriqi, Celina, Bernard Berisha e Voca, të cilët në këtë moment duken luks edhe për Shqipërinë, shkruan telesport.

Ajo që e thoshim nën zë para pak vitesh, tashmë po ndodh: Kosova po bëhet ekip i vërtetë, me djemtë e saj, ndërsa Shqipëria po kthehet në origjinë, sepse po shteron burimi kosovar dhe vetë nuk prodhojmë thuajse asgjë. Guri e Abazaj, edhe ata ende shumë larg të qenit pika kyçe në kombëtare, ndërsa pjesa tjetër asgjë.

Ndoshta nuk e kemi kuptuar ende, por nuk jemi për Europian, sepse krahasuar me Euro 2016 kemi humbur pak nga të gjitha: nga Lorik Cana deri te uniteti i ekipit, nga De Biasi deri tek entuziazmi total dhe stadiumet e tejmbushura, nga talentet e Kosovës deri tek fati, që nuk duhet ta harrojmë, sepse në Serbi fituam për arsye të çmendura dhe pa lidhje me sportin.

Nga grupi për dy ndeshjet e fundit Panuçi nuk përdori fare dy portierë, Agollin, Demirin, Likën, Kaçen e Lilën, ndërsa emra si Guri, Manaj, Gavazaj, Prenga e Mihaj duket sikur luajnë nga halli dhe Panuçi u jep pak minuta, ose nuk duron fare dhe i ndërron që në pushim.

Më e keqja është se nëse Challandes nuk di kë të hedhë të parin në fushë, aq shumë talente ka në dispozicion, Panuçi kthen sytë nga stoli dhe nuk sheh askënd që mund të ndryshojë ndeshjen, ndërsa shpresa e vetme është që Grezda të riaftësohet urgjentisht dhe të shpërthejë në Skoci.

Tek Shpresat janë Bare, Ramadani e Abazaj, pjesë e kombëtares në të shkuarën e afërt, por duket se Panuçi nuk i konsideron gati për kombëtaren A, edhe pse të paktën Ramadani po luan e po shkëlqen në ekipin e vet.

E ardhmja është e zymtë, ashtu si mbrëmja e ftohtë skoceze që na nxori nga fusha si pula të lagura, aq sa shumica e futbollistëve u fshehën, për të mos folur për gazetarët shqiptarë të pranishëm në Glasgow. Ata, ashtu si tifozët, meritonin pak më shumë respekt...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat