Ballkani synon të frenojë Prishtinën, Gjilani në sprovë me Drenicën

Futboll

Ballkani synon të frenojë Prishtinën, Gjilani në sprovë me Drenicën

Nga: Kemajl Goca Më: 11 shtator 2018 Në ora: 11:19
Ballkani synon të frenojë Prishtinën, Gjilani në sprovë me Drenicën

Pas pushimit disa ditësh rikthehen ethet e futbollit në Kampionatin e Kosovës. Dy ndeshjet do të luhet sot dhe katër nesër.  Sot në orën 15.45 përballen Ballkani nga Theranda dhe Prishtina, sfidë që zgjon kureshtje të madhe sidomos që therandasit janë me trajner të ri, Sami Sermaxhaj, synojnë që ta ndalin Prishtinën. 

Therandasit janë optimistë se pas dy humbjeve do t’i kthehen rezultateve pozitive, kurse Prishtina pretendon fitoren e tretë njëherësh të vazhdojnë ecurinë e mos pësimit të golave. Ballkani e kishte nisur mirë edicionin me fitoren me rezultat 1:0 në konak të Lirisë së Prizren, por pastaj si vendas u mund me 0:3 nga Llapi dhe në Drenas u mposhtë me 1:0 nga Feronikeli. Prishtina ka një ndeshje me pak me Gjilanin, takim që ishte shtyrë, ndërsa kishte fituar me 2:0 në ‘Riza Lushta’ kundër Trepçës ’89 dhe pastaj si vendas me 1:0  ndaj Drenicës. Prishtina kërkon fitoren e tretë rresht, kurse therandasit ta ndërprenë serinë e keqe të rezultateve.

“Pas një jave përgatitje intensive dhe pas ndryshimeve në stafin teknik, po i kthehemi sërish emocioneve që të sjellë loja e bukur e futbollit. Kjo ndeshje është tejet e rëndësishme dhe tre pikët janë synimi ynë i vetëm që t'i gëzojmë tifozët më të mirë në Kosovës, ‘Xhebrailat’, qytetarët e Therandës dhe të gjithë dashamirët e skuadrës sonë”, shprehen te FC Ballkani. Në taborin e Prishtinës janë optimistë dhe besojnë në pikë të plota. “Prishtina pothuajse është komplete dhe kjo më së miri u vërejt në ndeshjen përgatitore me U19 të Kosovës meqë rast u paraqiten edhe Pefqeli e Morina (i cili shënoi edhe golin e vetëm të ndeshjes së shtunës)”, bëhet e ditur nga FC Prishtina.

Trajneri i Prishtinës, Mirel Josa, tha se shkojnë për fitore. “I bije që pas kësaj periudhe pauze që kishim të fillojmë prapë kampionatin. Për mua është njësoj, në të njëjtat pozita siç e kemi lënë për faktin, sepse luajmë me një skuadër, e cila tregoi edhe në Feronikel, tregoi futboll, pavarësisht humbjes. Mund të themi që ka lojtarë me eksperiencë brenda dhe vlerësojmë komplet punën që ka bërë ajo skuadër deri tash, siç vlerësojmë punën e çdo skuadre tjetër. Ne duhet të jemi të kujdesshëm, nuk do të jetë e lehtë për ne. Duhet të jemi skuadër me ekuilibër, një skuadër që duhet të zotërojmë topin dhe godasim kundërshtarin. Normal që shkohet me fituar, por duke fituar me mend në kokë, me kujdes, sepse luan edhe kundërshtari futboll”, ka thënë për faqen e FC Prishtina, Josa.

Kapiteni i Prishtinës, Armend Dallku, beson se do të dalim mirë nga Theranda. “Normalisht se ndeshjen e kaluar kam qenë shumë i lumtur, e ku duhet falënderuar edhe FFK-n që ka bë hap që të më fal një ndeshje dhe me rikthimin në stadium dhe me fitoren ndaj Drenicës. Duhet të kemi tani vazhdimësi edhe në lojën e ardhshme që e kemi me Ballkanin. Edhe pse na pret lojë e vështirë në një teren shumë të vështirë. Mirëpo neve na pret që të bëjmë punën tonë që të marrim tre pikë dhe të vazhdojmë rrugën drejt qëllimit tonë”, tha Dallku. Sot në orën 15.45 do të luhet edhe ballafaqimi tjetër, ku në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj ndeshen Drenica dhe Gjilani. Gjilanasit pretendojnë fitoren e tretë rresht në kampionat.

“Përfundojnë përgatitjet për duelin kundër Drenicës. Skuadra e Gjilanit është e gatshme për duelin e sotëm që ata e zhvillojnë kundër Drenicës në Skenderaj. Gjendja e futbollistëve është mjaft stabile, ku punuan rreth dy orë. Në duelin e sotëm për Gjilanin do të mungon Ledojn Muçaj i lënduar në duelin e fundit kundër Trepçës ‘89 dhe Wilber Perez i cili është i impenjuar me përfaqësuesen e tij, Guatemala”, bëhet e ditur nga Gjilani.

IPKO Superliga – Java e 4-t

E martë

Drenica-Gjilani

Ballkani-Prishtina

E mërkurë

Ferizaj-Feronikeli

Drita-Llapi

KEK-u -Trepça’89

Flamurtari-Liria

Ndeshjet fillojnë në orën 15.45

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat