Tovërlani: E merituam barazimin, Prishtinës i uroj fat

Futboll

Tovërlani: E merituam barazimin, Prishtinës i uroj fat

Më: 16 shtator 2018 Në ora: 09:11
Afrim Tovërlani

Ferizaj ka arritur të bëjë një befasi të këndshme duke e ndaluar Prishtinën në kryeqytet me barazim pa gola 0-0.

Skuadra e rikthyer në Superligën e Kosovës ka luajtur një ndeshje defensive por që pati sukses në fund të takimit.

E për këtë barazim pa gola ka folur edhe trajneri i Ferizajt, Afrim Tovërlani.

Toki ka thënë se e vetmja mënyrë për ta ndalur Prishtinën ishte loja defensive e skuadrës së tij.

“Prishtina kundërshtar shumë i fortë dhe e vetmja mënyrë për t’u përballë me Prishtinën në këtë moment ka qenë kjo, të luajmë në mënyrë defensive dhe të linim iniciativën Prishtinës, sepse realisht janë shumë të fortë, i kanë dy ekipe që në çdo moment mund t’i hedhë në formacion në Superligën e Kosovës”.

“Besoj që luftuam, e merituam dhe po të kishim qenë pak më cinik në dy-tre raste në pjesën e dytë kishim arrit me i dënuar, mirëpo realisht Prishtina ka pasur më shumë lojë dhe jam i kënaqur me barazimin”.

“Prishtinës i uroj sukses, kurse neve na mbetët të luftojmë në këtë mënyrë, sepse ju e dini që e kemi nisur shumë vonë, duke qenë një muaj pas skuadrave tjera dhe duhet të tentojmë që në çdo ndeshje të marrim maksimumin”, ka deklaruar Tovërlani pas ndeshjes.

Në ndeshjen e ardhshme, Ferizaj do të jetë nikoqir i Gjilanit ndërsa Prishtina luan në udhëtim te Drita.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat