Higuain si Muntari, zikaltrit befasojnë Milan-in në fund

Futboll

Higuain si Muntari, zikaltrit befasojnë Milan-in në fund

Më: 23 shtator 2018 Në ora: 20:10
Pamje nga takimi Milan - Atalanta

Milan ka barazuar 2-2 ndeshjen e vlefshme për javën e pestë të kampionatit, të luajtur në shtëpi kundër Atalanta-s. Lodhja e akumuluar nga ndeshja e luajtur në Europa League duket se ka ndikuar te vendasit, që kanë shpërdoruar avantazhin në minutat e fundit.

Një nga protagonistët e ndeshjes ka qenë ish-sulmuesi i Juventus, Gonzalo Higuain, i cili ka gjetur golin pas vetëm dy minutash lojë, duke dërguar topin në rrjetë me një goditje fluturimthi me të djathtën pas një krosimi perfekt të Suso.

Argjentinasi, në fakt, ka shënuar golin më të shpejtë për Milan-in në Serinë A (1’33”) që nga ai i shënuar nga Muntari kundër Juventus (tetor 2013, 18”).

Rastet nuk kanë munguar për vendasit në minutat në vazhdim, por ata janë treguar të pasaktë para portës. Rregulli i pashkruar futbollit “goli i humbur, gol i pësuar” është konfirmuar në minutën e 54-t, kur Gomez ka barazuar ndeshjen për miqtë.

Gjithsesi, gëzimi i zikaltërve ka zgjatur vetëm 7 minuta, teksa Bonaventura ka kthyer në avantazh kuqezinjtë në të 71-ën. Edhe këtë herë ka qenë Suso ai që ka dhënë asistin. Në avantazh që është shpëtuar në minutën e 87-të nga Rodriguez, i cili ka larguar topin nga vija fatale pas një dalje të gabuar të Donnarumma.

Kur mendohej se “Djalli” do të merrte tri pikët, ka ardhur befasia. Rigoni, në fakt, ka realizuar golin e barazimit 2-2 në minutën e 92-të me portën e boshatisur pas një pritje të bukur të Donnarumma ndaj Zapata.

Ky barazim, i dyti radhazi në kampionat për Milan pas atij të marrë në fushën e Cagliari-t, i lë kuqezinjtë në vendin e 13-të me 5 pikë, po aq sa Atalanta, që ndodhet një vend më sipër për shkak të diferencës më të mirë të golave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat