Xhaka: Ozil lojtari më i mirë, Mustadin e kemi DJ në zhveshtore

Futboll

Xhaka: Ozil lojtari më i mirë, Mustadin e kemi DJ në zhveshtore

Më: 25 shtator 2018 Në ora: 14:59
Foto

Mesfushori kosovar i Zvicrës, Granit Xhaka, ka folur për bashkëlojtarët e tij të Arsenalit, duke zbuluar se Shkodran Mustafi i argëton ata me muzikë në zhveshtore, derisa Mesut Ozilin e ka vlerësuar si lojtarin më të mirë me të cilin ka luajtur ndonjëherë.

Në një intervistë për Soccer AM, mesfushori me origjinë shqiptare i Arsenalit, Granit Xhaka, diskutoi rreth bashkëlojtarëve të tij, duke i vlerësuar ata për kategori të ndryshme. Këtë lloj të intervistës, të quajtur “Teammates 2.0”, e kishin bërë edhe yjet e tjerë të Premierligës, si Harry Kane, Jesse Lingard, Philippe Coutinho, Eden Hazard dhe Leroy Sane.

Kur u pyet se cili është bashkëlojtari i tij më i mirë, Xhaka e zgjodhi Mesut Ozilin, duke e lavdëruar atë jo vetëm për aftësitë sa i përket futbollit, por edhe për personalitetin e tij. Xhaka ka luajtur përkrah Ozilit që nga viti 2016, kur u transferua në Arsenal nga Borussia Mönchengladbachi.

“Nuk më duhet shumë kohë për të menduar për këtë, është Mesuti. Mesut Ozil është lojtari më i mirë me të cilin kam luajtur deri më tani. Ai është futbollist i rrugës, filloi të luajë futboll në rrugë. Atij i pëlqen të bëjë gjëra me top, ta ketë topin në këmbët e tij dhe është një futbollist i jashtëzakonshëm”, ka thënë Xhaka.

“Ai është një djalosh brilant, shumë i hapur dhe gjithmonë u ndihmon të tjerëve. Ai është një djalosh shumë i mirë, i shoqërueshëm dhe mund të them vetëm gjëra të mira për të”.

Megjithatë, në këtë interviste, Xhaka e përmendi edhe mbrojtësin Shkodran Mustafi, i cili po ashtu ka origjinë shqiptare. Xhaka bëri të ditur se Mustafi, i cili luan për Kombëtaren e Gjermanisë, është lojtari i cili e zgjedhë më së shpeshti muzikën që dëgjohet në zhveshtore, duke e quajtur atë DJ të zhveshtores.

“Mustafit i pëlqen ta zgjedhë muzikën në zhveshtore. Ndërsa, për ndeshje është më e përzier. Rob Holding i zgjedhë këngët zakonisht para ndeshjeve, por edhe Mustafi e bën këtë gjë. Edhe Aubameyangu i zgjodhi për një ndeshje”, shtoi Xhaka.

“Por, Robi dhe Mustafi janë lojtarët të cilët i zgjedhin këngët më së shpeshti. Mustafi dëgjon shumë këngë gjermane, ndërsa Robi i zgjedhë më shumë këngët angleze”.

Përkundër faktit se ai dhe Mustafi kanë që të dy prejardhje shqiptare, Xhaka rrëfeu se shoku i tij i ngushtë është Stephan Lichtsteiner, i cili u transferua në Arsenal gjatë afatit kalimtar të verës. Xhaka dhe Lichtsteiner janë shokë që nga viti 2010 dhe shqiptari me nënshtetësi zvicerane ka bërë të ditur se ai e kishte bindur Lichtsteinerin të transferohet në klubin londinez.

“Duhet ta zgjedh Stephan Lichtsteinerin. E kam njohur atë që kur kemi qenë 17-vjeçarë nga Kombëtarja e Zvicrës. Kam luajtur përkrah tij tash e shumë vite për Zvicrën dhe tani e shoh çdo ditë dhe e kam kuptuar se çfarë personi është. E kisha ditur edhe më herët, por tani e njoh edhe më mirë. Ai është i qetë dhe shumë inteligjent”, u shpreh mesfushori i Arsenalit.

“Bisedova me të para se të transferohej në Arsenal. Kur jemi me Kombëtaren, të gjithë flasim për klubet tona, si janë gjërat atje, çka është më ndryshe, çka është më mirë dhe çka është më keq. Për fat të mirë, unë arrita ta bindë atë të transferohet në Arsenal. Me stilin e tij të lojës dhe personalitetin e tij, ai mund të na ndihmojë të përmirësohemi si skuadër”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat