Allegri zbulon formacionin dhe kërkon tre pikët ndaj Bolognës

Futboll

Allegri zbulon formacionin dhe kërkon tre pikët ndaj Bolognës

Më: 26 shtator 2018 Në ora: 06:49
Trajneri Allegri

Bologna do të jetë kundërshtari i radhës për Juventusin, në një sfidë ku bardhezinjtë do të kërkojnë fitoren e gjashtë radhazi, në po kaq ndeshje të kampionatit italian, të cilin synon ta fitojë për herë të tetë radhazi.

Trajneri Allegri bën thirrje për përqendrim dhe vlerësim të kundërshtarit, teksa deklaron se synimi është që bardhezinjtë të shkojnë në avantazh pikësh, në ndeshjen direkte me Napolin, e planifikuar për këtë fundjavë.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi Bologna është një skuadër që rreshtohet mirë në fushë dhe lë shumë pak hapësira për ta sulmuar. Gjithsesi nuk dua surpriza, por përqendrim maksimal, për të marrë 3 pikët në përfundim të sfidës dhe për të udhëtuar drejt Napolit me avantazh pikësh në renditje”, deklaroi Allegri.

Pa nënvlerësuar aspak takimin e sotëm ndaj Bolognës, Allegri gjithsesi nuk mund të rrijë pa menduar për takimin e fundjavës në “San Paolo” ndaj Napolit, teksa zbulon disa emra nga formacioni dhe disa të tjerë që do të bëjnë pushim sot në “Allianz Stadium”.

“Ronaldo do të luajë, pasi është në formë mjaft të mirë dhe për më tepër, javën e ardhshme në Champions League nuk do të jetë. Në formacion do të jetë edhe Dybala, i cili ka nevojë të luajë me Ronaldon, me qëllim që të ambientohen me lojën e njëri-tjetrit dhe të shënojnë gola. Gjithashtu luan Perin, ndërsa do të pushojnë Mandzukiç dhe Chiellini, dhe mbetet në dyshim prezenca e Alex Sandros”, deklaroi Allegri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat