Bonucci e sheh veten si trajner: Ndoshta i Juves. Dhe për Milanin: Gabim nga zemërimi

Futboll

Bonucci e sheh veten si trajner: Ndoshta i Juves. Dhe për Milanin: Gabim nga zemërimi

Më: 10 tetor 2018 Në ora: 09:39
Leonardo Bonucci

Leonardo Bonucci, ditë pas dite, nuk e fsheh lumturinë e rikthimit në vendin, ku gjithmonë ka kërkuar të jetë: “Te Juventusi ka konkurrencë dhe seriozitet. Endrra ime është që të jem në gjendje të bëj edhe trajnerin në të ardhmen”.

Qendërmbrojtësi bardhezi thotë dy fjalë edhe për largimin një sezon te Milani, në verën e vitit 2017, çka e konsideron një gabim: “Vendimi ishte i vështirë për t’u marrë, por veprova në një çast zemërimi. Unë tani e kam kuptuar se instikti mund të të dërgojë në zgjedhje të këqija”.

Leonardo Bonucci, në intervistë për “Corriere dello Sport”, shpjegon se përse i do kaq shumë ngjyrat e Juventusit: “Ky klub është si një familje. Unë u përshëndeta dhe mirëprita sikur nuk kisha qenë kurrë aty. Te Juventusi të bëjnë të ndiheni të gjithë si në shtëpi. Ky është mentaliteti i duhur, me të cilin të gjithë synojmë drejt të njëjtit qëllim”.

Një mendim edhe për trajnerin Allegri, me të cilin pati polemika kur u largua nga “Zonja e Vjetër”: “Në futboll ndodh të ketë edhe diskutime e mendime ndryshe mbi një çështje. Atëherë nuk ishim sqaruar, por tashmë kemi shtrënguar duart dhe shikojmë përpara. Cilësia e tij më e madhe është inteligjenca. Allegri është në gjendje për të trajtuar një dhomë zhveshjesh me lojtarë aq të rëndësishëm, sa të Juventusit”.

Këtë vit, bardhezinjtë duken të fokusuar kryesisht te Champions-i. Bonucci ka mendimin e tij në këtë drejtim: “Unë i kam të freskëta kujtimet e hidhura nga finalja e Cardiff-it. Klubi ka ndërtuar një skuadër me shumë potencial, për ta realizuar këtë ëndërr. Me Cristiano Ronaldon, përmbushja e objektivit madhor bëhet më e besueshme. Por, kjo është gjithashtu një çështje fati, sakrifice dhe pune cilësore”.

Në të ardhmen, Leonardo Bonucci thotë se mund ta shihni në rolin e trajnerit: “Do doja të isha në këtë rol, në ndonjë ekip të madh, ndoshta te Juve. Për këtë do të shfrytëzoj të gjitha njohuritë, të cilat i kam fituar nga trajnerët që kam pasur në karrierë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat