Në Gjakovë mbahet manifestim kulturor për shenjtërimin e Nënës Terezë

Gjakova

Në Gjakovë mbahet manifestim kulturor për shenjtërimin e Nënës Terezë

Më: 5 shtator 2016 Në ora: 14:36
Mimoza Kusari - Lila

Sot, në Gjakovë nën patronatin e Kryetares së Komunës, Mimoza Kusari - Lila, është mbajtur manifestimi kulturor në nderim të veprës dhe shenjtërimit të Nënës Terezë. Ceremonia është hapur nga kori i kishës katolike ndërsa fjalën hyrëse e ka mbajtur kryetarja e Komunës Mimoza Kusari Lila.

Kryetarja Kusari - Lila ka folur për të shenjtën Nënë Tereza, për bijën e tokës sonë si një nënë e madhe e gjithë botës e cila me zemërgjerësinë dhe humanitetin e saj ju shërbeu të varfërve dhe të gjithë atyre në nevojë. Ndër të tjera ajo theksoi: “Dje, e gjithë bota kishte sytë, veshët dhe mendjet nga kryeqendra e botës së krishterë, nga Selia e Shenjtë ku një nënë e madhe, një misionare, humaniste, një nobeliste, një shembull i dashurisë dhe paqes, me bekimin e Papa Françeskut u shëndërrua në të shenjtë”.

Kryetarja u shpreh që kjo ka një domethënie të madhe për kombin tonë dhe për Gjakovën ngase nga një mbesë e Gjakovës, me zemërgjerësinë dhe humanitetin e saj, përmendet në tërë botës. Më tutje, ajo ka përmendur disa nga thëniet më të bukura të Nënës Terezë, duke përmbyllur se çdo fjalë e jona për të është shumë e pakët dhe se ne sot po bëjmë diçka të vogël por me dashuri shumë të madhe.

Në këtë manifestim, ka folur edhe përfaqësuesi i Kishës Katolike në Gjakovë, Pater Ndue Kajtazi, i cili ka përshkruar në pika të shkurtra biografinë e Nënës Terezë, duke theksuar se si një bijë me gjak Shqiptari, ajo asnjëherë nuk e mohoi origjinën e saj dhe se emrin e saj u munduan çdo komb ta përvetësoj. Ai më tutje ka shprehur që Nënë Tereza kishte zemër të madhe dhe roli i saj ka zënë vend në histori duke na bërë të gjithë neve që të ndjekim rolin dhe shembullin e saj për dashuri për njëri tjetrin.
Më tutje, profesor Ruzhdi Sefa ka mbajtur një fjalë rasti në emër të shoqatës së Intelektualëve “Jakova” në Gjakovë. Ai ka folur për rolin historik që ka dhënë Nënë Tereza për kombin shqiptar, duke theksuar takimin me presidentin Bill Clinton dhe kërkesën drejtuar atij për ndihmë popullit shqiptar të Kosovës, gjatë luftës së vitit 1999.

Në fund të kësaj ceremonie, Gladiola Dema ka lexuar një recital për Nënën Terezë si dhe është përmbyllur ceremonia me disa pika muzikore nga kori i Kishës Katolike dhe kori i Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat