Gjakova, komuna me performancën më të mirë për shfrytëzimin e granteve

Gjakova

Gjakova, komuna me performancën më të mirë për shfrytëzimin e granteve

Më: 7 shtator 2016 Në ora: 12:27
Mimoza Kusari

(E plotësuar) - Kryeministri i vendit, Isa Mustafa bashkë me drejtorin e Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë Patrick Etienne, kanë ndarë shpërblimet për komunat të cilat kanë përformuar më së miri e që do të përfitojnë nga projekti i DEMOS-it.  

Kjo ngjarje është organizuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe projekti DEMOS, që është i mbështetur nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë.

Komuna e Gjakovës e ka marrë çmimin e performancës më të mirë të përgjithshme. Komunat tjera të kategorizuara në vendet e dyta dhe të treta në disa kategori janë Lipjani, Novobërda, Peja dhe Rahoveci.

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, i cili tha se funksionalizimi i komunave është me rëndësi esenciale për qytetarët e Kosovës.

Mustafa: Gjatë mandatit tonë do të orientohemi kah investimet kapitale

“Funksionalizimi i mirëfilltë i komunave është me rëndësi esenciale për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ajo ju lehtëson jetën qytetarëve, mundëson që infrastruktura të funksionoj më mirë, që shërbimet që ofrohen ndaj qytetarëve të jenë më të lehta që ata të ndiejnë vetëm më mirë  dhe që sigurohet një administratë moderne në komuna dhe në përgjithësi në Kosovë. Ne po punojmë me ngulm që brenda mandatit qeverisës, t’i orientojmë investimet kapitale për nevoja themelore të komunave”, tha Mustafa.

Patrick Etienne, drejtor i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, ka treguar 
kriteret që komunat duhet t’i plotësojnë në mënyrë që të përfitojnë grante.

Etienne: Komunat duhet t’i plotësojnë 5 kritere për të pasur qasje në grante

“Këto grante bazohen në përformancën e komunave në ofrimin e shërbimit, menaxhimit financiar dhe vendimmarrjes demokratike. Sot japim grante në vlerë prej 1.5 milion eurove për komunat që kanë përmbushur, përformuar dhe i kanë përmirësuar punët e tyre...Është mbledhja e tatimit në pronë, nuk investojmë në qoftë se investimet nga institucionet dhe partnerët tanë nuk investojnë edhe vetë. E dyta duhet që të zbatojnë në plotësi grantin e dhënë në shtator të 2014-tës. E treta të kenë një raport pozitiv nga Auditori i përgjithshëm, e katërta është që të dhënat e tyre të jenë të sakta në sistemin e menaxhimit dhe e pesta është që të paguajnë 100 për qind të anëtarësisë vjetore në asosacionin e komunave të Kosovës. Krahas kësaj do të japin 5 mijë shpërblime ekstra për komunat, raportet e të cilave janë pozitive. Tre shpërblime për përformancën më të mirë, 3 për ato që kanë bërë përmirësime të përgjithshme”, tha Etienne. 

Sipas tij, sot janë shpërblyer komunat që kanë plotësuar këto kritere.

Ndonëse në agjendë ishte paraparë të fliste edhe Ministri i MAPL-së, Ljubomir Mariç, ai nuk kishte ardhur.

Pas fjalimeve, kryeministri Mustafa dhe shefi i Zyrës zvicerane në Kosovë, Etienne, ndanë shpërblimet për komunat, të cilat janë vlerësuar se kanë përmbushur kriteret e lartpërmendura të përformancës.

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, pas marrjes së shpërblimit, ka falënderuar Qeverinë zvicerane për përkushtimin dhe angazhim në Komunën e Gjakovës.

Ajo parashtrojë si kërkesë që ky aktivitet vitin tjetër të mbahet në Gjakovë.

Kusari-Lila: Ftoj që vitin tjetër kjo ngjarje të mbahet në Gjakovë

“Kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm ...Gjithashtu dua t’i propozoj projektit të DEMOS, që ky aktivitet vitin e ardhshëm të bëhet si traditë që komuna e cila del me përformancë më të mirë,  aktiviteti të zhvendoset në atë komunë. Prandaj me kënaqësi ju ftoj gjithëve që vitin e ardhshme të jemi bashkë në një ceremoni të tillë në Komunë e Gjakovës”, tha Kusari-Lila.

***

Komuna e Gjakovës është zgjedhur komuna me performancën më të mirë për shfrytëzimin e granteve.

Përveç Gjakovës, shpërblime kanë marrë edhe Komuna e Lipjanit, Novobërdës dhe Pejës.

Në këtë ceremoni, të organizuar nga Ministria e Administrimit të Pushteti Lokal në partneritet me projektin DEMOS që financohet nga Qeveria e Zvicrës, i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili deklaroi se Qeveria e Kosovës gjatë mandatit të saj ka ne fokus investimet kapitale nëpër komuna, duke investuar ne rrugë e objekte të ndryshme.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat