Gjakovë, prokurori zbut akuzën për vrasjen në mal

Gjakova

Gjakovë, prokurori zbut akuzën për vrasjen në mal

Më: 15 nëntor 2016 Në ora: 21:11
Gjykimi

Prokurori Agron Matjani në gjykimin për vrasjen e Sokol Nrecajt, veprën penale të vrasjes e ricilësoi vrasje të kryer në gjendje të tronditjes së thellë mendore.

Për vrasjen e Sokol Nrecajt dhe lëndimin e djalit të tij Jozefit akuzohen vëllezërit Nikollë e Pren Shyti.

Nikollë Shyti akuzohej nga Prokuroria në Gjakovë për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, por në seancën e sotme derisa paraqiti fjalën përfundimtare, prokurori Agron Matjani ndërroi mendje rreth akuzës së parë.

“Në veprimet e të akuzuarit Nikollë Shyti qëndrojnë të gjitha elementet qenësore të veprës penale të vrasjes të kryer në gjendjen e tronditjes së fortë mendore nga neni 180 i KPRK-së,” tha prokurori Matjani.

Ndërsa për të akuzuarin Pren Shyti prokurori tha se vazhdon të ngarkohet për përdorim arme.

“Ndërsa për të akuzuarin Pren Shyti ekzistojnë të gjitha elementet qenësore për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm nga neni 375,” tha Matjani.

Matjani më tutje kërkoi që vëllezërit e akuzuar të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Avokati Ndrec Dodaj që mbron Nikollë Shytin shtroi pyetjen se a mund të bëhet fjalë për vrasje pas këtij ricilësimi.

“Provat e administruara dhe mbrojtja e të akuzuarit kanë vërtetuar edhe fakte nga aktakuza që janë në kundërshtim, që vërtetojnë elemente dhe figurën e veprës penale. A ka vepër penale të vrasjes për të cilën akuzohet i akuzuari edhe pas këtij ricilësimi, apo kemi të bëjmë me vrasje të kryer në mbrojtje të nevojshme,” tha Ndrec Dodaj.

Meshari Selimaj, avokati i Pren Shytit kërkoi lirimin e të mbrojturit të tij me arsyetimin se Shytit nuk i është gjetur armë as në vendngjarje e as gjatë bastisjes në shtëpi.

Nikollë Shyti akuzohet për vrasjen e Sokol Nrecajt më 11 mars 2013 te vendi i quajtur “Lugu i Keq” në Fshatin Moglicë të Gjakovës.

Sipas aktakuzës, Nikollë Shyti pasi i kishte parë duke prerë dru Sokol Nrecajn dhe djalin e tij Jozefin i kishte urdhëruar ata ta ndalojnë prerjen dhe të gjunjëzohen. Pastaj e kishte goditur me tytë automatiku Jozefin, ndërsa më pas Sokol Nrecajn e kishte qëlluar në kraharor.

Në aktakuzë thuhet se pas shkrepjes së predhave në drejtim të Sokol Nrecajt, Nikollë Shyti me vëllanë e tij Prenin e kishin vendosur të vrarin në qerre, duke e urdhëruar djalin e tij Jozef Nrecaj të niset drejt fshatit Pjetërshan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat