Shehu: Vdekja e Astritit është tragjedi kombëtare

Gjakova

Shehu: Vdekja e Astritit është tragjedi kombëtare

Më: 26 nëntor 2016 Në ora: 16:10
Marshi në Gjakovë

(E plotësuar) - Sot në ora 14:00 në Sheshin “Nënë Tereza” në Gjakovë, përfaqësues të shoqërisë civile filluan marshin protestues me moton “Drejtësi për Astritin”. Protestuesit mbanin në duar pankarta me mbishkrime “Drejtësi për Astritin”, “Lironi aktivistët nga burgu”, “Pa drejtësi nuk ka qetësi” dhe “Lironi të burgosurit politik”.

Astrit Dehari po mbahej në paraburgim nën dyshimet se kishte marrë pjesë në sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës. Ai më 5 nëntor ka vdekur në burgun e Prizrenit, në rrethana ende të pasqaruara, raporton KosovaPress.

Përfaqësues të shoqërisë civile, sot u shprehen se ajo çka kërkohet, është zbardhja e rrethanave të vdekjes së aktivistit Dehari.

Andi  Batusha nga Këshilli për Veprim Rinor Lokal (KVRL), kërkoi zbardhjen e rastit për Astrit Deharit, i cili tha se duhet të reagojmë deri sa zyrtarët të japin përgjegjësi për këtë rast.

Batusha: Kërkojmë zbardhje të rastit Dehari

“Sot si pjesëtarë të shoqërisë civile, kemi dal me kërkuar drejtësi për një djalë të ri, i cili në një vend që do duhej të ishte i sigurt, gjen vdekjen në rrethana tepër të dyshimta. Nuk duhet lejuar që të bëhet precedent. Besoj që duhet me reaguar deri në zbardhje të rastit të plotë dhe gjithsesi të thirren në përgjegjësi zyrtarët, të cilët duhet të ofronin siguri për Astritin”, tha Batusha.

Kurse, Veprore Shehu nga  Organizata Joqeveritare “Medika Kosova”, tha se me anë të këtij aktiviteti, po solidarizohen si komunë me qytetarët, të cilët kërkojnë sqarime për rastin Dehari.

Shehu: Vdekja e Astritit është tragjedi kombëtare

“Sot po marshojmë për të kërkuar drejtësi dhe zbardhje të rrethanave të vdekjes së Astrit Deharit. Duam si komunë të solidarizohemi me të gjithë qytetarët dhe komunat tjera të Kosovës, për të ngrit këtë çështje si tragjedi kombëtare, jo vetëm si tragjedi e familjes Dehari, jo vetëm si tragjedi e familjes së Astritit, por si tragjedi e mbarë kombit tonë, se vërtet nëse drejtësia nuk arrihet më këtë rast, atëherë ka mundësi që këto tragjedi të na përsëriten edhe në të ardhmen”, tha Shehu.

E në anën tjetër, Vjollca   Kuqi nga Rrjeti i Grupit të Grave “Qeliza”, tha se rasti i Astritit është unikat dhe përgjegjëse për krimin që i është bërë, është drejtësia e vendit.

Kuqi: Drejtësia e vendit të jap përgjegjësi

“Ne si pjesëtarë të shoqërisë civile e po ashtu besoj edhe të gjithë qytetarët duhet ta ndjejmë si obligim ta mbrojmë demokracinë. Rasti i Astritit është rast unikat, që jo vetëm drejtësia ndërkombëtare, por edhe vet drejtësia e vendit të jetë përgjegjëse për krimin që i është bërë”, tha Kuqi.

Në marrsh ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Kuvendit Komunal si dhe përfaqësues të subjekteve politike, të cilët iu bashkuan marshit protestues. Kjo është protesta e parë e organizuar në Gjakovë me moton “Drejtësi për Astritin”, ndërkaq të ngjashme janë organizuar edhe nëpër qytetet tjera të Kosovës. Marshi sotëm përfundoi i qetë.

Image

 

***

Marshohet edhe në Gjakovë, kërkohet drejtësi për Deharin

Shoqëria civile me një marsh në Gjakovë kërkoi ndriçimin e vdekjes së Astrit Deharit.

Në Gjakovë nëpër qendër të këtij qyteti marshuan sot pjesëtarë të shoqërisë civile dhe qytetarë duke kërkuar zbardhjen e vdekjes së Astrit Deharit.

Marshuesit kërkuan edhe dorëheqjen e përgjegjësve për vdekjen e ish-aktivistit të “Vetëvendosjes” që po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren si i dyshuar për sulmin e 4 gushtit me granatëhedhës në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Veprore Shehu nga Organizata “Medika Kosova”, duke iu drejtuar të pranishmëve tha se Astrit Dehari vdiq “aty ku duhej të ishte më i sigurt se kudo tjetër në rrethana të pasqaruara”.

Ajo më tutje deklaroi se organizata që përfaqëson merret me ndriçimin e krimeve të kohës së luftës, ndërsa nuk e kishte menduar se do të protestojë edhe për një vdekje të kohës së tashme.

“Nuk e kam mendu se do të vijë koha të kërkojmë drejtësi edhe për një të ri që vdiq në kohën e ashtuquajtur të paqes,” tha Shehu.

Të pranishmëve në marshin protestues iu drejtuan edhe përfaqësues të organizatave tjera organizatore të kësaj ngjarjeje.

Astrit Dehari vdiq më 5 nëntor, ndërsa Instituti i Mjekësisë Ligjore gati dy javë pas vdekjes së tij, atë e konsideroi vetëvrasje.

Të njëjtën ditë me raportin e publikuar nuk u pajtua Lëvizja “Vetëvendosje”.

Shoqëria civile kërkoi hetim ndërkombëtar për vdekjen e Deharit, ndërsa Ministria e Drejtësisë i kërkoi të kryejë këto hetime Policisë Metropolitane Britanike “Scotland Yard”, por u refuzua prej saj, raporton kallxo.com. Përveç në Gjakovë, protesta ku kërkohet drejtësi për Deharin janë mbajtur edhe në qytete tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat