28 Nëntori në Gjakovë shënohet me nderime për kontributdhënësit

Gjakova

28 Nëntori në Gjakovë shënohet me nderime për kontributdhënësit

Më: 28 nëntor 2016 Në ora: 17:17
Kusari – Lila duke bërë nderime

Komuna e Gjakovës ka organizuar një sërë aktivitetesh me të cilat është shënuar 28 Nëntori, dita e Pavarësisë së Shqipërisë dhe dita e flamurit kombëtar.

Fillimisht dita ka nisur me nderime për heronjtë, dëshmorët dhe martirët e komunës së Gjakovës, me ç‘rast, kryetarja e komunës Mimoza Kusari – Lila e shoqëruar prej bashkëpunëtorëve të saj ka bërë homazhe tek lapidari “Shokët e Lirisë”, te varrezat e dëshmorëve dhe ato të martirëve në Meje dhe në Çabrat.

Kusari – Lila ka rikujtuar se sakrifica e bërë përgjatë shekujve, nga njerëzit më të devotshëm të këtij vendi, ka bërë që shqiptarët sot të jetojnë të lirë dhe të pavarur. Ajo ka porositur që në asnjë mënyrë të mos harrohet ky angazhim dhe ky kontribut dhe të gjithë heronjtë, dëshmorët e martirët të respektohen e të nderohen secilën ditë të vitit.

E për ta madhështuar edhe më shumë këtë festë kombëtare, kryetarja Kusari – Lila dhe bashkëpunëtorët e saj kanë inauguruar disa projekte infrastrukturore të cilat tashmë janë përfunduar si dhe kanë vizituar edhe projekte tjera në të cilat është duke u punuar me intensitet të lartë.

Në këtë drejtim, zyrtarët komunalë, së bashku me banorët e zonave respektive kanë inauguruar rrugë në fshatin Popoc, rrugën në lagjen Zenelaj në fshatin Duzhnje, rrugën e Lugut të Vades në fshatin Dol, urën në fshatin Devë, segmente të rrugës “Ali Hasi” e të tjera.

“Të gjitha projektet e përfunduara e edhe ato në vazhdim e sipër, janë projekte të cilat po financohen nga buxheti komunal dhe të cilat, sipas kryetares Kusari – Lila, janë të domosdoshme dhe do të ndikojnë dukshëm në përmirësimin e jetës së banorëve”, thuhet në komunikatën e Komunës së Gjakovës.

Kryetarja Kusari – Lila gjithashtu ka shfaqur shpresën se edhe projektet e nisura por edhe ato të planifikuara për pjesën e mbetur të këtij viti por edhe për pranverën e vitit 2017 do të realizohen me përpikëri dhe në bazë të planifikimeve, pasi ë të gjitha këto projekte janë jetike dhe të rëndësishme për banorët e komunës së Gjakovës./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat