Gjakova kërkon lirimin e Haradinajt

Gjakova

Gjakova kërkon lirimin e Haradinajt

Më: 28 janar 2017 Në ora: 17:49
Tubimi protestues në Gjakovë nga organizatat e grave të Gjakovës

Me moton “Ramush Haradinaj është Kosova” u mbajt tubim protestues në Gjakovë nga organizatat e grave të Gjakovës, së bashku me Aleancën e Gruas së Kosovës dega në Gjakovë, ku u bë thirrje për lirimin sa më të shpejtë të ish komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit dhe ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Me këtë rast, kryetarja e Aleancës së Gruas në Gjakovë, Burbuqe Bakija-Deva u shpreh e shqetësuar për shkak të zvarritjes së procesit ndaj ish-kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj.

Bakija: Ramushi është i domosdoshëm për Kosovën

“Ne qytetarët e Komunës së Gjakovës jemi të zhgënjyer me zvarritjen e procesit ndaj Ramush Haradinajt. Kanë kaluar 25 ditë që nga ndalimi tij, dhe ne ende nuk kemi një përgjigje definitive për lënien e tij të lirë. Prandaj, apelojmë tek autoritetet franceze të drejtësisë, që ne emër të drejtësisë, të stabilitetit dhe ndershmërisë ndaj një politikani që ka kryer të gjitha obligimet ndaj drejtësisë ndërkombëtare, që sa më parë të vendos në favor të kësaj të drejtë të patjetërsueshme, dhe ta lirojë Ramush Hardinajn, që ta vazhdojë jetën e tij politike shumë të domosdoshme për Kosovën”, tha Bakija.

Luljeta Sharani nga Shoqata “Thirjet e Nënave”, tha se janë të revoltuar kundër padrejtësisë që i është bërë Haradinajt. Ajo përmendi edhe provokimet e fundit nga shteti serb, që sipas saj janë rezultat i bisedimeve të pakushtëzuara me Serbinë.

Sharani: Të revoltuar kundër padrejtësisë ndaj Ramushit

“Jemi të revoltuar kundër kësaj padrejtësie. Serbia ende vazhdon së provokuari me nisjen e trenit në Mitrovicë, me parullën ‘Kosova është Serbi’. Me dekorimin e trenit me parulla antishqiptare, me simbole antifetare, e nacionaliste serbe, me drejtimin e murit dhe provokimi i fundit i arrestimit të Ramushit në Francë, me fletarrestim e vet Serbisë. Shumë qartë shihet se bisedimet e pakusht me Serbinë, janë pasojat që po i vuan populli i shumëvuajtur. Dalim me këtë kërkesë që Presidenti dhe kryeministri i Kosovës, kur ta kenë takimin me palën serbë të mos të habiten dhe të mos harrojnë të kërkojnë kushtin e parë. Që të gjithë kriminelët që kryen krimet, të dalin para drejtësisë”, tha Sharani.

Servete Pajaziti nga Organizata “27 Prilli”, kërkoi nga krerët e shtetit që në bisedimet me Serbinë, të flasin për të zhdukurit gjatë luftës.

Ajo tha se ka 18 vite që nuk dinë asgjë për njëzet e pagjetur të familjes së saj.

Pajaziti: Ramushi i vetmi personi që ka bërë mirë për Kosovën

“Familja Pajaziti 20 anëtarë i ka të mbytur, e unë dua me fol qartë e shlirë me kryeministrin Isa Mustafa, nëse ata bëjnë bisedime me Serbinë, a flasin ndonjëherë për të zhdukurit. Ka 18 vite që nuk dinë, ku shkojnë ose ku rrinë familjarët tanë. Ramush Hardianj padrejtësisht në Francë. Vjehrra ime thotë ‘se nuk më del shpirti pa ditë për djalin tim’. A është e drejtë kjo për Isa Mustafën dhe Hashim Thaçin? Jo, nuk është e drejtë. Lus institucionet e Kosovës sa më parë të zbardhet fati i të pagjeturve, tash vjen 27 prilli e unë dhe fëmija e mi nuk kemi ku me marr një lule me dërguar te burri im dhe babai i fëmijëve të mi. Lus që sa më parë Rmaush Haradinaj të kthehet në Kosovë, se i vetmi person që ka bërë për të mirën e Kosovës, është ai”, tha Pajaziti.

Në këtë protestë u ekspozuan edhe fotografitë e krimeve të luftës së fundit, e cila ndodhi gjatë viteve 1998-99 në Kosovë, si dhe në një burg të improvizuar ishin vendosur fotografitë paramilitarëve serbë, të cilët kanë kryer krime në Gjakovë  dhe më gjerë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat