Prokuroria: Kredinë e marrë në bankë, e dha për fajde

Gjakova

Prokuroria: Kredinë e marrë në bankë, e dha për fajde

Më: 8 prill 2017 Në ora: 20:49
Pashk Berisha dhe Lekë Marashi

Njëri nga dy të akuzuarit e një procesi gjyqësor në Gjakovë sipas prokurorisë mori para në bankë për t’i dhënë me fajde.

Dy të akuzuarit për fajde Pashk Berisha dhe Lekë Marashi, thanë sot para gjykatës që nuk ndihen fajtor në lidhje me akuzat për të cilat ngarkohen.

Sipas aktakuzës të ngritur nga prokurori Agron Matjani, të akuzuarit dy vitet e fundit kanë kontraktuar shuma dukshëm jopropocionale të pasurisë duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të personave të tjerë.

“I akuzuari Pashk Berisha ka dhënë para me fajde Selami Haxhi Kadrisë të cilit i ka dhënë shumën e parasë 7500 euro, Ndue Tunajt shumën e parave prej 2000 euro me kamatë 10%, Robert Komanit shumën e parave prej 11.000 euro me kamatë 10%, Haxhi Gashit shumën e parave prej 1000 eurove me kamatë 10%”, tha prokurori Matjani në seancën gjyqësore në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Prokurori Matjani sqaroi se gjatë bastisjes, të akuzuarit Berisha i janë gjetur fletore me shënime për paratë e dhëna te disa persona të cilat, sipas tij, e vërtetojnë veprën penale të fajdes.

Për të akuzuarin Lekë Marashi aktakuza sqaron ai ka marrë kredi në njërën nga bankat e Kosovës për t’i dhënë me fajde.

“I akuzuari Lekë Marashi po ashtu ka dhënë para me fajde pasi nga Banka TEB në Gjakovë ka marrë kredi në shumën e parave prej 7000 euro ndërsa këstin mujor të kredisë së bashku me kamatën do ta paguante për 4 vite dhe atë për 200 euro në muaj i dëmtuari Selami Haxhikadrija”, tha Matjani.

Dy të akuzuarit Berisha dhe Marashi, u deklaruan të pafajshëm kur u pyeten lidhur me fajësinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat