Pas 34 viteve miratohet projekti me investimin më të madh kapital për komunën e Gjakovës

Gjakova

Pas 34 viteve miratohet projekti me investimin më të madh kapital për komunën e Gjakovës

Më: 8 maj 2017 Në ora: 13:46
Kuvendi komunal i Gjakovës në mbledhjen e jashtëzakonshme

Kuvendi komunal i Gjakovës në një mbledhje të jashtëzakonshme të thirrur nga kryetarja e komunës, Mimoza Kusari-Lila, ka miratuar sot propozim vendimin për realizimin e projektit “Unazat dhe hyrje-daljet në qytetin e Gjakovës”.

Ky projekt pas tre viteve intensive të diskutimit me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim si dhe me ministritë e linjës, ka arritur të merr miratimin e 27 këshilltareve të komunës së Gjakovës, me vetëm gjashtë vota abstenim të këshilltareve të AAK-së.

Kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka prezantuar në këtë mbledhje rëndësinë e implementimit të një projekti kaq madhor me ndikim esencial në zhvillimin ekonomik të vendit. Kusari-Lila ka theksuar që implementimi i këtij projekti do të jetë njëri ndër investimet më të mëdha kapitale në historinë e qytetit të Gjakovës, ku do të bëhet lidhja më e mirë në mes të regjioneve për hyrje-daljet si dhe do të lirohet qarkullimi i komunikacionit në vend. Ky projekt është i unifikuar dhe dakorduar tërësisht me strategjitë zhvillimore komunale si plani zhvillimor komunal urban, strategjia zhvillimore socio-ekonomike, strategjia rajonale për transport, fizibiliteti mbi rrugët në Gjakovë si dhe plani i mobilitetit në proces. “Ja vlen të theksohet që asnjë projekt i deritanishëm në nivel të Kosovës, në aspektin gjeografik nuk ka qëndruar më mirë dhe më saktë sipas planit urbanistik dhe ky projekt ka mbajtur konsistencë për 34 vite dhe po kthehet prap në trajtim dhe miratim me të njëjtat vija ashtu siç ishte paraparë në atë periudhë pa asnjë interes dhe motiv politik” ka shtuar Kusari Lila. Ajo më tutje ka theksuar, që pesha e këtij projekti në aspektin financiar është e përballueshme nga komuna e Gjakovës në raport me investimin e përgjithshëm dhe ndikimin e madh që do të ketë implementimi i këtij projekti për zhvillimin e komunës së Gjakovës.

Shumica e asambleistëve të Gjakovës e kanë përgëzuar komunën për punën e bërë, ku pas një pritje dhe diskutimi shumë të gjatë më në fund po arrihet të fillohet implementimi i projektit të hyrje-daljeve të qytetit të Gjakovës.

Ndryshe, projekti planifikohet të nisë në vitin 2018 dhe investimi i komunës së Gjakovës në bashkëpunim me BERZH është në vlerë prej 7 milion e 350 mijë euro, ndërsa në Ministria e Infrastrukturës do të participoj në shumë prej 18 milion e 790 euro.  

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat