Limaj në Gjakovë: Vendi ka nevojë për energji të reja, Nisma që tre vite punon për Haradinajn

Gjakova

Limaj në Gjakovë: Vendi ka nevojë për energji të reja, Nisma që tre vite punon për Haradinajn

Më: 23 maj 2017 Në ora: 19:57
Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj

Kryetari i Nismës për Kosovë, Fatmir Limaj dhe kandidati për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, në një bashkëbisedim që zhvilluan me qytetarët e Gjakovës, theksuan se nuk e durojnë më një Kosovë me fusnotë, një Kosovë ku njeriu i Kosovës është i nëpërkëmbur si brenda ashtu edhe jashtë vendit, ndërsa Ramush Haradinaj kryeministër është njeriu i duhur për Kosovën.

Kreu i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj tha se para katër viteve subjekti i tij është angazhuar dhe rreshtuar që të vije kjo ditë, që Haradinajn ta kenë kryeministër të vendit. Madje, sipas tij, me Haradinajn kryeministër është një mundësi e madhe për Kosovën, pasi vendi ka nevojë për energji të reja.

Limaj: Ramushit askush s’do t’ia ndërpres më punën në gjysmë

“Me Ramushin në krye Kosova do të jetë ndryshe, Kosova ka nevojë për t’ia kthyer dinjitetin në arenën ndërkombëtare, ne kemi nevojë për një njeri i cili është i ndjeshëm, një njeri të këtij vendi, një njeri që shumë kohë më parë ka treguar se jeton i gatshëm për t’u sakrifikuar për interesin e vendit. Zoti na ndihmoftë në misionin tonë të shenjë, ne jemi bashkuar, me besim, me besim të madh në personalitetin e zotëri Haradinajt. Jam i gëzuar që ëndrra ime po bëhet realitet dhe qindra mijëra burrave dhe grave të Aleancës dhe të Nismës dhe gjithë koalicionit tash për të pasur kryeministër Ramush Haradinajn, të cilit padrejtësisht dikur në gjysmë pune ia kanë ndërprerë punën, sot askush më nuk do ta ndërpres”, theksoi Limaj.

Kreu i AAK-së, shtoi se po vjen dita kur punët do të kryhen për Gjakovën, por edhe për Kosovën. Haradinaj foli indirekt edhe për demarkacionin, për të cilin theksoi se nuk do të lejojnë që të marr tokë askush.

Haradinaj: Ka shumë çka që s’do të lejojmë të shkojë më kështu

“Ka shumë çka që s’do të lejojmë të shkojë më kështu, s’do të lejojmë që dikush të marrë tokë ose me dhanë tokë të këtij vendi, ose edhe s’do të lejojmë që në Kosovë mos me marr shtesë të fëmijëve, pra dikur kemi pasur, sot s’kemi. S’do të lejojmë që infrastruktura e jetës të mbetet ajo e 50 vjetëve”, tha Haradinaj.

Edhe pse në kohë me shi, kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj mori disa pyetje nga qytetarët, të cilët ishin të interesuar se çfarë do të bëjë ai për Dukagjinin, pasi sipas tyre, ajo pjesë është lënë anash nga qeveritë e kaluara.

Haradinaj tha do ta ndërtojë një rrugë katër trakshe nga Istogu deri në Prizren, për t’i lidhur ato pjesë. Derisa theksoi se edhe për ujin e pijes do të punojë që të ndërtojë ujëmbledhës për rezerva të ujit deri në 100 vjet, meqë sipas tij, Dukagjini por edhe Kosova në tërësi ka ujë, por jo për ta keqpërdor atë. Haradinaj e quajti Gjakovën ndër adresa kryesore për investitorët.

Haradinaj: Gjakova ndër adresat e para ku do të ishin shkuar investimet

“Ne duhet të punojmë të kthehet siguria për jetën tonë, për njërin, për pronën. Një gjyqësor që është efektiv jo që zgjatë me vite për vendime, në mënyrë që ata që kanë gatishmëri që janë edhe diaspora jonë edhe investitorë që të mund të vijnë dhe të investojnë. Mendoj që Gjakova do të mund të ishte ndër adresat e para ku do të ishin shkuar investimet për shkak të traditës së vet në industri dhe një logjike të punës që ekziston në Gjakovë”, theksoi Haradinaj.

I pyetur rreth marrëdhënieve me Shqipërinë dhe heqjes së shumë barrikadave mes dy vendeve dhe nëse koalicioni do të shndërrohet në një parti duke pasur parasysh kauzën e njerëzve të këtyre partive, Haradinaj tha se do të punojnë për avancimin e raporteve mes dy shteteve, porse nuk e dinë nëse do të jenë një parti, porse partneritetin do ta vazhdojnë për ndërtimin e Kosovës pa hile.

Haradinaj: Do të punojmë pa hile për të mirën e Kosovës

“Do të bëjmë edhe një hap me tutje, do ta pyesim njeri tjetrin nëse jemi shqiptarë atëherë pse nuk interesohemi ndërsjellë, sepse ka më pak fjalë, më pak punë, nuk do të shkoj kështu. Ne kemi kauzë një Kosovë euroatlantike, po është sukses i shqiptarëve kjo, qysh jemi gëzuar që është Shqipëria në NATO, është sukses për shqiptarët nëse Kosova avancon me ushtrinë e vet drejt NATO-së. A do të jemi një parti, kjo pyetje e tregon nisja jonë ne rrugëtojmë gati dy dekada aleanca, por nuk kemi menduar në atë opsion, po partneritetin pa hile po, nuk do të lejojmë të prishet një e mirë për Kosovën për hile”, u shpreh Haradinaj.

Derisa, liderët e AAK-së dhe Nismas, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj takuan qytetarët e Gjakovës, kryetari i partisë me të madhe në vend, PDK-së Kadri Veseli, që është në koalicion me AAK-në e Nismën, ka takuar gratë e Mitrovicës ku ka bashkëbiseduar me to.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat