Dushi: Është e pamundur që Serbia të mos ketë informata për të pagjeturit

Gjakova

Dushi: Është e pamundur që Serbia të mos ketë informata për të pagjeturit

Më: 30 maj 2017 Në ora: 16:31
Zëvendësministri i Drejtësisë, Florian Dushi, takoi përfaqësuesit e Organizatës “Thirrjet e Nënave”.

 Ai para të pranishmëve tha se Ministria e Drejtësisë ka rifilluar futjen e të dhënave në databazën për personat e zhdukur, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, si  dhe është punuar shumë në hartimin e Strategjisë për fushën e Mjekësisë Ligjore,  ku çështja e të pagjeturve zë vendin kryesor.

Dushi tha se Ministria e Drejtësisë e ka  mbështetur Mjekësinë Ligjore duke i shpeshtuar takimet koordinuese edhe me Zyrën e Kryeministrit.

Ai tha  se është ndërmarrë edhe iniciativa për  konservimin  e rrobave dhe se duhet punuar edhe për çështjen e pensioneve për familjarët e personave të zhdukur.

Zëvendësministri Dushi tha se Serbia nuk është aspak bashkëpunuese sa i përket zbardhjes së fatit të të pagjeturve.

Më tutje, Dushi theksoi se " është e pamundur që Serbia të mos ketë informata lidhur me personat e pagjetur, sidomos kur dihet fakti se edhe sot në qeverinë e Serbisë janë eksponentët kryesorë të atij regjimi kriminal, i cili edhe kishte kryer këto krime dhe ishte angazhuar për fshehjen e gjurmëve të krimit”.

Ndërsa, kryetarja e  organizatës “Thirrjet e Nënave”, Nesrete Kumnova, e falënderoi Zëvendësministrin Dushi për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme për këto procese dhe për këto familje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat