Ymeri: Gjakova e ka provuar edhe qeverisjen e korruptuar të AAK-së, por edhe ndryshimin e rrejshëm

Gjakova

Ymeri: Gjakova e ka provuar edhe qeverisjen e korruptuar të AAK-së, por edhe ndryshimin e rrejshëm

Më: 18 tetor 2017 Në ora: 20:30
Visar Ymeri

Kryetari Visar Ymeri e ka nisur fjalën e tij në tubimin zgjedhor përmbyllës të VETËVENDOSJE!-s në Gjakovë duke kujtuar dëshmorët Yll Morina e Yllka Domi, poetin Ali Podrimja, këngëtarin Esat Bicurri dhe veprimtarë e personalite tjera që vijnë nga kjo komunë.

Ymeri përmendi luftën e fundit,  duke e quajtur UÇK-në si Ngjarjen më të madhe që i ka ndodhur popullit tonë së paku në 5 dekadat e fundit

“UÇK-ja nuk mund të gjykohet, por as nuk mund të përvetësohet. Lufta për liri dhe dëshmorët nuk i takojnë askujt privatisht. Përpjekja për ta përvetësuar sakrificën është përpjekja më reaksionare. Ata dhanë për Kosovë – ata janë të Kosovës. Metamorfoza e madhe që kanë pësuar disa politikanë që thirren në emër të UÇK-së është vërtetë për keqardhje. Liria politike degradoi në ekonomi të dëshirës  që nuk kënaqet kurrë. Kontributet në luftë trajtohen si kapital I investuar prej të cilit I presim perfitimet pas luftës.  Lufta për çlirim u shndërrua luftë për zotërim. I ndanë territoret, dikush Dukagjinin , dikush Drenicën, dikush Llapin”, tha Ymeri duke akuzuar pushtetarët që thirren në emër të luftës.

“Ardian Gjini pati thënë se qeverinë kanë për ta krijuar me patriota e në fund përfunduan duke e krijuar atë me Listen Srpska. Ju e keni provuar një qeverisje të tillë, qeverisjen e korruptuar në emër të luftës. Nuk keni pse ta përsërisni prapë. AAK-në Gjakova e ka provuar, bile pak si shumë e ka duruar. Por, ju e keni provuar edhe ndryshimin e rrejshëm. Jo secili subjekt tjetër është alternativë. Ju e dini edhe çfarë nuk është ndryshimi. E ka emrin frikë, dhe jo alternativë pakti i heshtur me shkatërruesit e qytetit. Quhet identike, dhe jo alternativë ajo qeverisje që i vazhdon punësimet në bazë mbiemri e partie”, tha më tej Ymeri, duke kritikuar edhe qeverisjen e mëhershme nga AAK, por edhe atë nga kryetarja aktuale Kusari-Lila.

Për Driton Çaushin, Ymeri tha se është mendjendritur e i vendosur, mendjehapur e bashkëpunues, mendjegjerë e mendjehollë, mendjelartë e mendjeurtë, dhe se e ka mendjen top e të ftohtë. Ai ftoi të votohet numri 10 dhe Driton Çaushi, duke e quajtur këtë votë për historinë e lavdinë, zhvillimin e barazinë, për punën e shëndetësinë, për arsimin e shkencën, për bujqësinë e industrinë, për rregullin e drejtësinë, për kulturën e artin, për politikën e demokracinë dhe për progresin e ardhmërinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat