Suspendohen tre policët që pa vendim të gjyqit kishin marrë fëmijët nga Valbona Ndrecaj

Gjakova

Suspendohen tre policët që pa vendim të gjyqit kishin marrë fëmijët nga Valbona Ndrecaj

Më: 6 shtator 2018 Në ora: 22:13
Valbona Nrecaj

Tre policë të Gjakovës janë suspenduar për shkak se dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar’ në rastin e vrasjes së Valbona Nrecajt dhe vajzës së saj.

Prokuroria në Gjakovë ka konfirmuar se dy policët N.P. dhe P.P. kishin tejkaluar autorizimet e tyre kur në qershor të këtij viti kishin shkuar bashkë me të dyshuarin për vrasje, Pjetër Nrecaj, dhe i kishin marrë fëmijët nga nëna për t’ia lënë babait në përkujdesje.

Shkelje dhe vepër penale dyshohet të ketë kryer edhe hetuesja e rastit me inicialet L.Z.

Më 13 gusht të këtij viti, ishte raportuar pikërisht se si i dyshuari për vrasjen edyfishtë të gruas dhe vajzës së tij, Pjetër Nrecaj, kishte arritur t’i marrë fëmijët nën përkujdesje pa vendim të gjyqit, vetëm me ndërmjetësimin e policisë.

E ndjera Valbona Nrecaj kishte kërkuar ndihmën e Qendrës për Punë Sociale që t’i takonte fëmijët por meqë ajo e kishte kërkuar shkurorëzimin, bashkëshorti ia kishte ndaluar nënës t’i shihte fëmijët.

Brenda rreth një muaji, Inspektorati Policor ka marrë dy vendime kundërthënëse lidhur me këtë vrasje të dyfishtë.

Në njoftimin e lëshuar më 16 gusht të këtij viti, Inspektorati kishte thënë se nuk e kishte gjetur ndonjë veprim të kundërligjshëm në trajtimin e këtij rasti.

Ndërsa të mërkurën, në orët e mbrëmjes, njoftoi se tre zyrtarë policorë duhej të suspendoheshin si të dyshuar për keqpërdorim të autoritetit zyrtar.

KTV-ja ka kërkuar sqarime nga ana e IPK-së lidhur më dy vendimet kundërthënëse të nxjerra brenda një muaji, por ky inspektorat nuk ka dhënë sqarime.

Ka konfirmuar vetëm se hetimet po vazhdojnë edhe për disa zyrtarë të tjerë të përfshirë në këtë rast.

Në mbrojtje të zyrtarëve policorë, një muaj më parë, kishte dalë edhe vet drejtori i policisë në Gjakovë, Ahmet Hasi. Ai kishte ardhur në Prishtinë për t’i arsyetuar veprimet e policëve.

Pas suspendimit, drejtoria në Gjakovë nuk ka pasur koment.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat