Dega e LDK-së në Gjermani, nuk aprovon kushtin e kryetares Donikë Gërvalla

Gjermania

Dega e LDK-së në Gjermani, nuk aprovon kushtin e kryetares Donikë Gërvalla

Më: 30 gusht 2016 Në ora: 17:14
Donikë Gërvalla

Muajin e kaluar, në një intervistë dhënë Televizionit Rrokum, kryetarja e Degës të LDK-së, në Gjermani, Donikë Gërvalla, ka deklaruar se nëse deputetët e LDK-së, në Parlamentin e Kosovës, e votojnë vijën aktuale kufitare, me Malin e Zi, pa transparencën e duhur, unë do të largohem nga LDK-ja!

Dega e LDK-së në Gjermani, i bashkohet kërkesës gjithëpopullore, për rikthimin për shqyrtim serioz të përcaktimit të vijës kufitare me Malin e Zi, sepse qëndrimi zyrtar aktual është i nxituar dhe jo real. Të gjitha argumentet e deritashme të Komisionit shtetëror dhe të zyrtarëve pushtetarë, çalojnë dukshëm dhe nuk kanë arritur ta bindin popullin e Kosovës. Të ashtuquajtura kushtëzime ndërkombëtare, janë sajesa fiktive të shefave të inkriminuar dhe karrieristë të shfrenuar. Të gjitha privilegjet që i premtohen Kosovës, në këmbim të ratifikimit të demarkacionit, janë një hiç, në raport me tokën e humbur.

Dega e LDK-së në Gjermani, nuk miraton kushtëzimin e kryetarës të Degës të LDK-së, në Gjermani, Donikë Gërvalla, për këto arsye:

1.- Donikë Gërvalla ka nënshkruar peticionin kundër - Shënimit të Vijës Kufitare  Aktuale me Malin e Zi -;

2.- Donikë Gërvalla, në vijimësi, në shumë prononcime publike, e ka kundërshtuar, madje me forcën e argumenteve, këtë vijë kufitare;

3.- Donikë Gërvalla nuk ka listuar kandidatët për deputetë të LDK-së, të cilët do ta votojnë apo jo demarkacionin.

Prandaj, Donikë Gërvalla nuk ka asnjë përgjegjësi individuale, personale, për vendimet që marrin apo zbatojnë të tjerët, qofshin ata edhe deputetë të LDK-së. 

Natyrshëm, anëtarësia e LDK-së mbanë përgjegjësi morale, pse nuk reagon ndaj vendimeve të nxituara që miratojnë strukturat e partisë.

Demokracia, si armë efikase  për luftimin e së keqës, e ka debatin. Anëtarësia e LDK-së, në Kosovë dhe Diasporë, duhet të përfshihet në debatin demokratik, për ta konsoliduar dhe shumëzuar LDK-në, duke e bërë parti prijetare, si forcë e vetme e besueshme, për t`i avancuar proceset demokratike dhe zhvillimore në Kosovën tonë.

Donikë Gërvalla ka qenë një zë i fuqishëm në Gjermani dhe Mërgatë, përgjatë 24 viteve të shkuara dhe e tillë duhet të mbetët edhe sot e tutje. Kushtëzimet dhe largimet nuk janë zgjidhja e duhur. Përkundrazi, dobësojnë LDK-në dhe gëzojnë kundërshtarët e saj.

Dega e LDK-së në Gjermani, do të jetë në krah të kryetares Donikë Gërvalla, në rrugëtimin demokratik, në bashkëpunim të sinqertë dhe të harmonishëm me strukturat udhëheqëse të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Komisioni për informim i degës të LDK-së në Gjermani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat